Euro nis të marrë pak frymë pas mbytjes për më shumë se dy muaj.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një euro është shkëmbyer ditën e enjte me 123,03 lekë me një rritje prej 0,34 pikë nga një ditë më parë.
Kur na ndajnë vetëm katër ditë nga ndërrimi i viteve, festë që ka prioritetin kryesor ndaj çdo feste tjetër gjatë muajit të fundit të vitit, njerëzit kanë vërshuar drejt blerjeve; qoftë ushqimeve për gostitjen e tryezave, qoftë veshjeve apo orendive të shtëpive, ashtu edhe dhuratave duke bërë të mundur qarkullimin e parasë.
Kjo është një prej arsyeve, që agjentët e këmbimit valutor rendisin për frymëmarrjen e euros.
“Por ka shumë shqiptarë që po preferojnë ta kalojnë jashtë festën e ndërrimit të viteve dhe paketat turistike janë me euro, prandaj mendoj që është rritur euro”- thotë Ylli që zotëron një agjensi këmbimi valutor në zonën e ish-bllokut.
Por të dhënat e shkëmbimit valutor në tregun ndërkombëtar, të bëjnë të kuptosh që tregu i çregulluar i këmbimit ku euro ka një luhatshmëri të madhe këtë vit, tregon se sot (të enjten) ka nisur të frymëmarrë.
27 dhjetor 2017 27 dhjetor 2018
1 EUR = 1.1888 $ 1 EUR = 1.1326$
26 dhjetor 2017 26 dhjetor 2018
1 EUR = 1.1869 $ 1 EUR = 1.1392 $
Pak ditë më parë guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko bëri me dije se tregu valutor nuk paraqitet i çregullt dhe inflacioni nuk paraqet risk, prandaj, argumentoi ai, Banka e Shqipërisë në këto kushte nuk ndërhyn në treg.
Kurse eksperti i Moody’s Ilir Hysa në një prononcim për gazetën “Si” po pak ditë më parë, e shpjegonte zhvlerësimin e euros në tregun e brendshëm jo me faktorë lokalë. Sipas tij rënia e kursit të shkëmbimit të euros ndaj lekut është pjesë e dobësimit të euros ndaj monedhave të tjera në përgjithësi dhe kryesisht reflekton dinamika që shkojnë përtej Shqipërisë. “Pra, çfarë po ndodh nuk duhet kuptuar si epërsi e lekut, por si dobësi e euros. Faktorët më të rëndësishëm që përcaktojnë kursin e shkëmbimit të një monedhe, në këtë rast të euros, janë diferencat në shkallët e inflacionit, diferenca në normën e interesit, bilanci tregtar, borxhi publik, raporti i çmimeve të eksportit dhe importit, si dhe stabiliteti politik dhe shëndeti i përgjithshëm ekonomik.”- tha Hysa për gazetën “SI” duke vazhduar argumentin e tij se “disa nga këta faktorë duket se kanë luajtur më shumë rol sesa të tjerët në vitet e fundit. Për shembull, Banka Qëndrore Europiane e ka mbajtur normën e interesit pranë zeros, ndërsa autoritet e politikave monetare të vendeve të tjera jashtë eurozonës kanë qenë më agresive. Interesi më i lartë i kompenson më mirë huadhënësit e fondeve, tërheq kapital të huaj dhe shtyn lart kursin e shkëmbimit.”