Autoritetet vendore dhe qendrore janë tërhequr nga vendimi për të larguar nga hotelet e Shëngjinit banoret e Thumanës, të cilët kanë ngelur të pastrehë pas tërmetit të 26 nëntorit.
Afati për të qëndruar në hotele ishte deri në datë 3 janar, për të kaluar më pas në banesat me qira, që do të subvencionohen nga shteti për të gjithë të prekurit që janë akomoduar në këto struktura.
Por duke qenë se jo të gjithë banorët e Thumanës kanë gjetur banesat me qira, vendimi për qëndrimin e tyre në hotel është shtyrë. Nga një mijë banorë që ndodhen në hotele në Shëngjin, 120 prej tyre nga Thumana që kanë plotësuar procedurat u ishte kërkuar që nesër të dilnin, por ata kanë bërë rezistencë duke mos pranuar. Përballë kësaj situate, kryetari i bashkisë së Krujës, Artur Bushi, sipas banorëve ka qenë mbrëmë në hotelin ku janë vendosur në Shëngjin duke u garantuar se do të vijojnë që të qëndrojnë deri kur të gjejnë shtëpitë me qira.
Por sipas banorëve sigurimi i banesave është një mision i vështirë, pasi tregu i qirave është rritur. Qiraja e miratuar nga bashkia është 3 mijë lekë për person në muaj. Ata i kanë kërkuar kryetarit të bashkisë që të rishikojë vendimin, ndërsa kanë marrë miratimin e tij. Përpos çmimit problem është edhe gjetja e shtëpive me qira. Tashmë mbetet për t’u parë se si do të veprohet më banorët e tjerë nga qytetet që u prekën nga tërmeti dhe u sistemuan në hotele.
Murgesha: Drama e banorëve të Thumanës! Disa kanë tentuar vetëvrasjen
Murgesha Mariglena Gjoni e cila po asiston si psikologe thotë se gjendja e këtyre banore është shumë e rëndë, madje ka dhe prej atyre që kanë menduar ti japin fund jetës. “Ajo që shoh është jo thjesht shkatërrimi i një shtëpie, por i një shprese, nuk dinë ku do të gdhihen. Banorët e Thumanë janë problem, pasi kanë edhe traumën e personit të vdekur, të familjarëve, etj. Por edhe të tjerët nuk janë më pak. Fëmijë, adoleshente, janë me rrezikshmëri të lartë për vetëvrasje.
Disa më kanë thënë kam tentuar të vras veten disa herë. Është një problem jo pak i vogël, për të thënë dramatik është pak. Kush dëgjon, të vendosë dorën në zemër. Thirrje shtetit dhe qytetarëve; mos ngrini idenë se sa do të marr për qiranë, mos përfitoni nga situata. Duhet të vendoseni në vendin e tyre, ku i dihet si vjen fati nesër. Ju lutem dëgjoni ankthin dhe britmën e tyre”, tha motër Mariglena Gjoni për Report Tv.