Politika Fasoneritë kthehen në vatra infeksioni, Meta thirrje qeverisë: Garantoni masat mbrojtëse

Fasoneritë kthehen në vatra infeksioni, Meta thirrje qeverisë: Garantoni masat mbrojtëse

Presidenti Ilir Meta, i ka bërë thirrje qeverisë që të mbështesë mjekët dhe infermierët, të cilët vijojnë të përballen çdo ditë me qytetarë të prekur nga pandemia globale e COVID-19.

“Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, përsëris thirrjen drejtuar Qeverisë për të garantuar me përgjegjësi dhe transparencë të gjitha masat mbrojtëse për mjekët, infermierët dhe personelin e tyre mbështetës, të cilët rrezikojnë shëndetin e tyre për të mbrojtur shëndetin e të gjithëve ne”, tha Meta.

Në Ditën Ndërkombëtare të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, kreu i shtetit është ndalur edhe tek sektori i fasonerisë, i cili ditët e fundit është kthyer në një vatër infeksioni. Sipas Metës, nëse masat mbrojtëse do të ishin marrë në kohë, ky sektor nuk do t’i kishte problemet që ka sot.

“Me shqetësim kam ndjekur këto ditë edhe situatën në sektorin fason, ku janë shfaqur një sërë problematikash, që mund të ishin shmangur nëse masat kufizuese, higjiena dhe distancimi social në ambientet e punës do të ishin respektuar. Ndërkohë që ky sektor kryesor punëdhënës ka nevojë për një përkrahje më konkrete për të mbijetuar. Garantimi i kushteve të sigurta dhe të shëndetshme të punës në çdo sektor, veçanërisht të kujtdo që është në vijën e parë kundër COVID-19, janë të domosdoshme për menaxhimin e pandemisë dhe rikthimin sa më shpejt në normalitet. Jeta, shëndeti dhe mirëqenia e qytetarëve janë të parat!”, thekson Meta.