Sport Fenerbahçe përjashton nga skuadra Mesut Özil e Ozan Tufan: Çfarë fshihet pas...

Fenerbahçe përjashton nga skuadra Mesut Özil e Ozan Tufan: Çfarë fshihet pas vendimit

Mesut Özil dhe Ozan Tufan janë përjashtuar nga organika e ekipit të parë të Fenerbahçes. Këtë e ka bërë të ditur klubi turk, përmes një shënimi të publikuar në rrjetet sociale: “Bëhet e ditur se janë përjashtuar nga organika lojtarët e ekipit të parë, Mesut Özil dhe Ozan Tufan”.

Klubi i Stambollit nuk ka specifikuar arsyet, por shtypi turk ka zbuluar disa prapaskena. Sipas gazetës Aksam, ish-mesfushori i Arsenal është cilësuar si “fizikisht i papërshtatshëm”. Fotomaç dhe Milliyet raportojnë të njëjtën tezë dhe shpjegojnë se Özil, i cili shënoi 8 gola dhe 2 asistime në 22 paraqitje në kampionat, paguan për një gjendje fizike më pak se optimale.

Lojtari humbi tetë ndeshjet e para të vitit 2022 me një problem në pjesën e poshtme të shpinës. Nga ana tjetër, Tufan i ardhur nga Watford në shkurt nuk kishte performuar sipas pritshmërive.

Gjermani luajti si titullar në ndeshjen e së dielës së kaluar kundër Konyaspor. Me atë rast ai mbajti edhe shiritin e kapitenit, por për shkak të paraqitjes së diskutueshme, ai u zëvendësua në pjesën e parë. Özil iu bashkua Fenerbahçes në janar 2021, pasi u përjashtua nga skuadra e Arsenalit.

Nga ana tjetër, Tufan u rikthye në Stamboll në shkurt pas një periudhe huazimi në kampionatin anglez. Mesfushori kaloi një gjysmë sezoni te Watford, por pas dy ndryshimeve të trajnerit dhe vetëm katër paraqitjeve ai vendosi të kthehet në vendlindje.

Tani, erdhi përjashtimi për të dy nga skuadra. Fenerbahçe aktualisht është e treta në Super Ligë dhe dy pikë pas Konyaspor.

Kryesimin e ka Trabzonspor, 15 pikë më shumë se vendi i dytë dhe është favorit për të fituar titullin. Një arritje, duke qenë se klubi nuk e ka fituar kampionatin që nga viti 1984.