Kryesore Festat “fundosin” euron dhe dollarin

Festat “fundosin” euron dhe dollarin

Festat e fundvitit, të cilat shoqërohen nga rritja e konsumit dhe veçanërisht kthimi i emigrantëve, kanë dhënë ndikimin e tyre në kursin e këmbimit valutor.

Një rënie të konsiderueshme ka patur këto ditë valuta e përbashkët europiane, e cila për shkak të prurjes së remitancave, është zhvlerësuar kundrejt monedhës vendase.

Prej fillimit të muajit, euro ka njohur vetëm rënie kundrejt lekut dhe tashmë gjendet në nivelin e 132.2 lekëve, ndërsa parashikohet që në vijim të zbresë deri në 132 lekë.

Dollari amerikan, i cili është edhe më i ndjeshëm nga këto ndryshime sezonale, është edhe valuta e cila ka humbur më tepër terren ndaj lekut.

Tashmë një dollar këmbehet për 111.3 lekë, çka është një nivel gati 2 lekë më i ulët nga ai i mesit të muajit.

Ditën e martë, në rënie janë regjistruar edhe valutat e tjera. Në mënyrë të ngjashme me dollarin ka reaguar edhe paundi britanik, gjithashtu 2 lekë nën vlerën e mesit të Dhjetorit.

Por ndryshe nga euro dhe dollari, paundi është shfaqur pothuajse i qëndrueshëm dy ditët e fundit, edhe pse prurjet e emigrantëve nga Anglia pritet ta zhvlerësojnë më tej si valutë.

Edhe franga zvicerane është zhvlerësuar në këtë periudhë dhe sot këmbehet për 112.5 lekë.

Dollari kanadez dhe ai australian ndërkohë duken më pak të prekura nga ky fenomen dhe luhatjet në kursin e këmbimit valutor nuk i kalojnë 0.2 pikët kundrejt lekut.