Bota Fitimet e “Pfizer” dhe “Moderna”-s nga vaksina, 32 miliardë dollarë që në...

Fitimet e “Pfizer” dhe “Moderna”-s nga vaksina, 32 miliardë dollarë që në vitin e parë

Administrata amerikane për Ushqimin dhe Ilaçet (FDA) autorizoi të premten vaksinën e kompanisë Pfizer dhe BioNTech për përdorim emergjent, duke i hapur rrugën vaksinimit të miliona njerëzve.

Autorizimi i vaksinës shënon një pikë kthese në Shtetet e Bashkuara, ku pandemia ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 292 mijë njerëzve.

Vaksinimet pritet të fillojnë së shpejti. Presidenti Trump tha se vaksinimi i parë me Pfizer do të jepet në SHBA brenda më pak se 24 orëve.

Të parët do të vaksinohen miliona punonjës të shëndetësisë, pasuar nga personeli dhe banorët e qendrave për të moshuarit, individët me sëmundje të tjera ekzistuese si dhe amerikanët e moshuar. Pjesa tjetër e popullatës do të duhet të presë deri në prill apo maj të vitit të ardhshëm.

Autorizimi i vaksinës “Pfizer” kundër koronavirusit në Shtetet e Bashkuara është një moment mjaft i rëndësishëm për shkencën, ekonominë dhe njerëzimin. Ky moment historik është gjithashtu një prodhues i madh parash për kompanitë që zhvilluan vaksinat.

Analistët e “Wall Street” kanë parashikuar që “Pfizer” dhe “Moderna” do të gjenerojnë rreth 32 miliardë dollarë të ardhura nga vaksina vetëm gjatë vitit të ardhshëm.

Kjo është një rritje e jashtëzakonshme për kompaninë Moderna, një kompani e re bioteknologjike, për të cilën pak njerëz mund të kishin dëgjuar para vitit 2020, ndërsa tani është në prag të marrjes së autorizimit nga FDA. Ndërkohë, “Pfizer” parashikohet të arkëtojë rreth 19 miliardë dollarë nga vaksina në vitin 2021.

“Pfizer” do të ndajë të ardhurat e saj me “BioNTech”, një kompani gjermane me të cilën ajo po bashkëpunon për zhvillimin e vaksinës.

“Pfizer” ka nisur tashmë aplikimin në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa pritet që shumë shpejt kjo gjë të ndodhë edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.