Politika Voltana Ademi: Dhunuesit e selisë së PS-së nuk kanë lidhje me protestën

Voltana Ademi: Dhunuesit e selisë së PS-së nuk kanë lidhje me protestën

Voltana Ademi: Dhunuesit e selisë së PS-së nuk kanë lidhje me protestën

Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, ka reaguar pas përshkallëzimit të protestës ku u dëmtua selia e Partisë Socialiste.

Në një postim në Facebook, ajo thotë se e kishte detyrim që të ndodhej sëbashku me shkodranët e revoltuar. Ademi shprehet se shkodranët nuk mbështesin dhe as nuk duan thyerjen e selisë së PS-së.

Kryebashkiakja e Shkodrës shton se personat që thyen xhamat e selisë dhe më pas u futen brenda për të nxjerrë disa objekte janë të rinj të panjohur dhe të pambështetur nga protestuesit e tjerë. Sipas Ademit, ata janë drejtuar nga selia e PS-së.

Ademi shkruan më tej se ka njoftuar policinë e cila sipas kryebashkiakes nuk ka bërë asnjë veprim ndërkohë që dhunohej selia. Të gjithë këtë situatë, Voltana Ademi e quan provokim dhe u bën thirrje qytetarëve që  të mos bien pre e saj.

“Si qytetarja e parë e Shkodrës kisha përgjegjësinë të isha sot me shkodranët e revoltuar nga arbitrartieti që çon deri në vrasje, e shtetit policor të ndërtuar nga Edi Rama në këto 7 vjet. Ne bëmë detyrën tonë ndaj demokracisë dhe lirisë në një marshim paqësor. Thyerja e selisë së Partisë Socialiste nuk është ajo që ne duam dhe ajo që ne shkodranët mbështesim. Ne nuk kemi nxitur kurrë urrejtje politike as në kohërat më të errëta dhe persekutimin më të egër, nuk nxisim as sot as dhunën, as urrejtjen mes vedit. Qytetarët duhet ta dinë se kur disa të rinj, të panjohur dhe të pambështetur nga protestuesit e tjerë, u drejtuan nga selia e PS, njoftova autoritetet më të larta të Policisë në Shkodër. Policia ndenji me duar në xhepa, duke parë dhunimin e selisë, pa bërë asnjë veprim. Të rinjtë dhe qytetarët nuk duhet të bien pre e asnjë provokimi kriminal, siç ka ndodhur në Tiranë nga regjimi i Edi Ramës dhe siç po ndodh sot në Shkodër. E drejta për të protestuar është legjitime dhe ajo duhet të ushtrohet pa pengesa dhe tejkalime”, tha Ademi.

Balla: Pas djegies së selisë së PS qëndron Voltana Ademi

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla thotë se dhuna është organizuar nga opozita, ndërsa për protestën e Shkodrës thotë se u organizua nga kryetarja e Bashkisë Voltana Ademi.

“Dhuna dhe vandalizmi ka emër! Sali Berisha, Ilir Meta, Lulezim Basha dhe Monika Kryemadhi janë sot nën akuzë publike për këto akte dhune dhe sponsorizimin e tyre.

Protesta e Shkodrës u thirr sot nga PDLSI Shkodër dhe nga Kryetarja e Bashkisë Voltana Ademi (në foto). Skenari për sulmin ndaj selisë së PS Shkodër ishte pjesë e këtij organizimi prej tyre!”, shkruan Balla.