Kryesore Fitorja e Uldedajt/ Flet legjenda Krasniqi: Pashë një dyluftim si rrallë herë

Fitorja e Uldedajt/ Flet legjenda Krasniqi: Pashë një dyluftim si rrallë herë

Ringu vazhdon t’i dhurojë emocione edhe një legjende si Luan Krasniqi, i cili ishte dje një prej mbështetësve me të mëdhenj të Jurgen Uldedajt në duelin për titullin botëror.

Ish-kampioni i Evropës dhe ish-mbajtësi i brezit WBO Continental vlerëson yllin e ri shqiptar, beson se të tjerë boksierë do të arrijnë të ndjekin gjurmët e tij, ndërsa përshëndet edhe formimin e ushtrisë së Kosovës.

Boksieri 47-vjeçari u shfaq mjaft emocional pranë ringut, duke i dhënë Jurgen Uldedaj-t vazhdimisht këshilla, ndërsa nuk i kurseu elozhet pas suksesit të djaloshit nga Lezha.

“Ka kohë që nuk kisha parë një dyluftim kaq të pastër. Ka një vlerë sportive të madhe ky boks. Jurgeni do të arrijë të bëhet kampioni i vërtetë i botës dhe kjo ishte një parapërgatitje”,- u shpreh Krasniqi për A2.

Shqipëria vazhdon të promovojë yje të ringut, dhe ish-kampionin e Evropës dhe ish-kampion i versionit WBO në versionin Continental beson se të tjerë boksierë do të arrijnë të ecin në gjurmët e tij.

“A do të ketë Luanë Krasniqi të tjerë? Sot e pamë njërin dhe besoj se kemi edhe shumë të tjerë, por koha do të na e tregojë. Duhet të përqendrohemi tani të shohim karrierën e Jurgenit”, vazhdon modest ish kampioni.

Në fund nuk mund të mungojë edhe një përshëndetje për Shtetin e Kosovës, që prej kësaj fundjave ka ushtrinë e saj.

“Është një kënaqësi për Kosovën. Çdo shtet sovran duhet ta ketë ushtrinë e vetë, është e drejtë e jona. Shumë suksese Kosovës dhe kjo është diçka e mirë”,- përfundon Krasniqi, duke iu bashkuar festës për Uldedajn.