Aktualitet Flet Mark Frroku: Vëllai im do të jetojë i lirë në Holandë,...

Flet Mark Frroku: Vëllai im do të jetojë i lirë në Holandë, por nuk shkel në Shqipëri

Biznesmeni Mark Frroku ka fituar gjyqin ndërkombëtar me drejtësinë shqiptare. Ai i ka shpëtuar burgimit të përjetshëm, pasi gjykata e Drejtave të Njeriut në Hagë vendosi të mos e ekstradojë në Shqipëri me argumentin se ndaj tij është zhvilluar gjyq me ngjyrime politike.

Kujtojmë se Frroku ishte dënuar me burg përjetë nga Apeli i Krimeve të Rënda për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj, por u arratis teksa më herët Gjykata e Shkallës së Parë e kishte shpallur të pafajshëm.

I vëllai, Mark Frroku, ish-deputet ka thënë se Haga i dha të drejtë vëllait të tij bazuar në tre komponentë: rreziku për jetën; burgimi i përjetshëm që në disa vende të BE nuk ekziston; vendimi ka ngjyrime politike.

Duke folur për Panoramën, ish-deputeti tha se “Arben Frroku do të jetojë si person i lirë në Holandë, ku do të marrë dhe familjen. Ai nuk lejohet që të hyjë vetëm në Shqipëri. Kjo është politika shqiptare. Dy orë pas ngjarjes, politika ka dalë dhe e ka bërë vrasës vëllain tim. Kjo nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë. Po tashmë e ka dhënë përgjigjen Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Hagë”.

Kujtojmë se edhe vetë Mark Frroku u arrestua dhe dënua, ndërsa la qelinë vitin e kaluar.

Ai vuajti dënimin për ndërtimin pa leje dhe fshehje pasurie, ndërsa nuk u provua akuza më e fortë ndaj tij ajo e vrasjes së një shqiptari në Belgjikë.