Bota Florida miraton ligjin që u ndalon fëmijëve nën moshën 14 vjeç që...

Florida miraton ligjin që u ndalon fëmijëve nën moshën 14 vjeç që të kenë llogari në median sociale

Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, nënshkroi projektligjin shumë të debatuar që synon kufizimin e qasjes së fëmijëve në platformat e medias sociale.

Ligji i njohur si HB3 u ndalon fëmijëve nën moshën 14 vjeç që të kenë llogari në median sociale, ndërsa 14 dhe 15-vjeçarët mund të kenë llogari me pëlqimin e prindërve.

“Media sociale dëmton fëmijët në mënyra të ndryshme”, tha DeSantis në një deklaratë të lëshuar nga zyra e tij duke shtuar se “HB3 u jep prindërve një aftësi më të madhe për të mbrojtur fëmijët e tyre. Faleminderit kryeparlamentarit Renner për dorëzimin e këtij legjislacioni historik”.

“Interneti është bërë një rrugicë e errët për fëmijët tanë, ku grabitqarët i synojnë ata dhe median e rrezikshme sociale çojnë në nivele më të larta të depresionit, vetëdëmtimit dhe madje edhe vetëvrasjes”, tha kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Renner duke shtuar se “jam krenar për punën e të gjithë sponsorëve tanë të projektligjeve, përfaqësuesve Tyler Sirois, Fiona McFarland, Michele Rayner, Chase Tramont dhe Toby Overdorf për ofrimin e një kuadri legjislativ që i jep përparësi mbajtjes së fëmijëve tanë të sigurt. Falë nënshkrimit të Guvernatorit DeSantis, Florida udhëheq rrugën në mbrojtjen e fëmijëve në internet, ndërsa shtetet në të gjithë vendin luftojnë për të adresuar këto rreziqe”.

Kritikët argumentojnë se ligji është antikushtetues, se gjykatat kanë bllokuar legjislacion të ngjashëm në shtete të tjera dhe se ai mund të përballet me sfida ligjore nga industria e teknologjisë.

Sipas zyrës së guvernatorit, legjislacioni mbron gjithashtu aftësinë e banorëve të Floridas për të mbetur anonimë në internet dhe kërkon që faqet pornografike ose seksuale të përdorin verifikimin e moshës për të parandaluar të miturit të hyjnë në faqet që janë të papërshtatshme për fëmijët.

Legjislatura e shtetit amerikan kishte miratuar një projekt-ligj në shkurt që do të ndalonte plotësisht fëmijët nën 16 vjeç nga media sociale.

DeSantis vuri veton ndaj këtij projektligji, duke ngritur shqetësime për shkeljen e të drejtave prindërore. Ky version i ndryshuar do të hyjë në fuqi më 1 janar 2025.