Aktualitet Forca Detare 93 vjet, Xhaçka: Zgjasim edhe një vit qëndrimin tonë në...

Forca Detare 93 vjet, Xhaçka: Zgjasim edhe një vit qëndrimin tonë në detin Egje

93 vjet nga krijimi i saj, Forca Detare shqiptare ashtu si gjithë Forca e Armatosur, ka pësuar transformime të thella që i janë  përgjigjur kërkesave dhe sfidave të kohës.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka tha se, sot kjo forcë është rikonceptuar, ristrukturuar dhe integruar natyrshëm me strukturat e tjera të Forcave tona të Armatosura, duke u bërë pjesë e sistemit të mbrojtjes së hapësirës detare të NATO-s.

Xhaçka: “Në planet tona afatgjata ne kemi parashikuar zhvillimin dhe rritjen e kapaciteteve operacionale të Forcës Detare, dhe modernizimin e saj me paisje dhe mjete lundruese moderne, trajnimin e personelit me standardet e Aleancës, që t’i përgjigjemi jo vetëm kërkesave tona por edhe atyre të NATO-s”.

Ajo gjithashtu bëri të ditur se falë profesionalizimit të treguar nga efektivët shqiptarë, në 24 muajt e operacionit të NATO-s “Sea Guardian”, misioni do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2019.

Xhaçka: “Tashmë u mbushën dy vjet që nga fillimi i këtij misioni jo të lehtë dhe prezenca jonë atje është tepër e vlerësuar dhe e kërkuar nga drejtuesit e operacionit. Marinarët tanë janë kthyer në heronj dhe kanë shpëtuar mijëra jetë njerëzish nga mbytja e sigurt në det. Ne jemi të vendosur që të vijojmë edhe vitin që vjen do të jemi sërish prezent në këtë rajon, së bashku me Aleatët tanë”.

93-vjetori i  krijimit Forcës Detare përkon edhe 100 vjetorin e lindjes së Kundëradmiralit më jetëgjatë, të Flotës Luftarake Detare, Abdi Matit.

Xhaçka: “Me 28 vite në shërbim të Forcës Detare, 24 prej të cilëve në krye të saj, është kthyer në një legjendë të pa kontestueshme që kujtohet me respekt nga kolegët dhe bashkëpunëtorët e tij”.

Në nder të Matit, familja e tij botoi albumin me foto e fakte historike për figurën e Kundëradmiralit dhe të Flotës Luftarake Detare në vitet 1945-1992.