Kryeministri Edi Rama deklaroi se dokumenti i publikuar nga hakerat iranianë këtë të hënë, nuk ka lidhje me sistemin MEMEX të Ministrisë së Brendshme.
Në fjalën e tij gjatë seancës plenare në Kuvend, Rama u shpreh se kemi të bëjmë me një fotomontazh.
“Menjëherë ngriheni në këmbë, cilat janë lidhjet e krimit me atë, duke parë fotomontazhe. Ajo që ka dalë, nuk është sistemi MEMEX i Ministrisë së Brendshme, kaq e thjeshtë është.
Duhet të kalojë e gjithë dita, duke torolis gjithë opinionin publik që ndjek këto lloje burimesh, duke dëgjuar gënjeshtra dhe konspiracion nga më absurdet. Faktikisht, është një e pavërtetë nga fillimi deri në fund”, theksoi kreu i qeverisë.
1.7 giga byte material u publikua nga hakerat e ashtuquajtur “Homeland Justice” mëngjesin e së hënës në platformën e komunikimit Telegram.
Bëhet fjalë për 49 lista të gjata ku pasqyrohet identiteti i personave, numri ID, mosha, vendlindja dhe foto e tyre e sistemit TIMS.
Në këto publikime, nuk jepen detaje të tjera se për çfarë janë të dyshuar personat në fjalë, por dyshohet se materialet i përkasin sistemit MEMEX që administrohet nga Policia e Shtetit.
Sistemi kompleks mbledh e përpunon informacion kriminal dhe lidhjet e personave të skeduar ose dyshuar për ngjarje ose veprimtari kriminale.
Në një reagim, Policia e Shtetit ka mohuar që të dhënat të jenë nga sistemi MEMEX duke insistuar që nuk janë prekur apo dëmtuar të dhëna sensitive që administrohen e kanë të bëjnë me punën policore.