Koronavirusi po izolon gjithnjë e më tepër Kinën. Hong Kongu njoftoi masa drastike duke bllokuar të gjitha hyrje-daljet me këtë shtet, ndërsa virusi i ri misterioz vijon të përhapet me shumë shpejtësi.
Trenat e shpejtësisë së lartë dhe linjat hekurudhore do të pezullohen gjatë të martës, bëri të ditur liderja Carrie Lam, e cila mbante një maskë mbrojtëse edhe pse ndaloi përdorimin e tyre vitin e kaluar. Ndërkohë, fluturimet mes Hong Kongut dhe Kinës vazhdojnë akoma, por numri i tyre është përgjysmuar.
Edhe Rusia ka vendosur që të pezullojë kalimet kufitare me Kinën, në përpjekje për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Agjencia e Lajmeve TASS, raporton se janë pezulluar edhe udhëtimet turistike të shtetasve kinezë në territorin rus. Gjithashtu edhe shtete të tjera të botës pritet të ndjekin praktika të njëjta.