Kryesore Gabimi i madh kinez: Vetëm 6 ditë do të mjaftonin për të...

Gabimi i madh kinez: Vetëm 6 ditë do të mjaftonin për të parandaluar Covid-19

Gjashtë ditë pasi qeveritarët kinezë, vunë re se mund të përballeshin me një epidemi virusi, në qytetin e Wuhan ku ishte dhe epiqendra e epidemisë, u zhvillua një banket masiv, ndërsa miliona njerëz udhëtuan për festimet e Vitit të Ri Lunar.

Presidenti Xi Jinping paralajmëroi vendin një ditë më pas, në datën 20 janar, por deri atëherë më shumë se 3000 njerëz ishin infektuar pas një jave heshtje publike.

Vonesa nga 14 deri në 20 janar nuk ishte as gabimi i parë i bërë nga zyrtarët kinezë në të gjitha nivelet në përballjen me shpërthimin dhe as vonesa më e gjatë, pasi qeveritë në të gjithë botën kanë vonuar shpalljen e virusit. Por vonesa nga vendi i parë për t’u përballur me koronavirusin e ri erdhi në një kohë kritike, pasi ishte fillimi i një shpërthimi shumë të madh. Përpjekja e Kinës për të kontrolluar gjendjen duke mos i vënë në panik qytetarët, bëri që të shpërthejë një pandemi që ka infektuar mbi 2 milion njerëz dhe ka marrë më shumë se 126.000 jetë.

“Kjo është një shifër jashtëzakonisht e madhe dhe nëse do të kishim vepruar në ditët e para do të kishim më pak pacientë dhe nuk do të vuanim për kapacitetet mjekësore”, tha Zuo-Feng Zhang, një epidemiolog në universitetin e Kalifornisë.

Ndërsa një epidemiolog tjetër, Benjamin Cowley në universitetin e Hong Kong, tha se nëse do të kishte paralajmërime përpara se të vërtetohej gjendja, njerëzit nuk do të besonin. Vonesa gjashtë-ditore nga udhëheqësit në Pekin erdhi në gati dy javë, gjatë së cilës Qendra Kombëtare e Kontrollit të Sëmundjeve nuk regjistroi ndonjë rast të ri. Megjithatë, gjatë asaj kohe, nga 5 deri në 17 janar, qindra pacientë ishin duke shkuar në spitale të ndryshme në të gjithë vendin.

Sipas eksperteve, kontrollet e ngadalta të Kinës për informacionin, pengesat burokratike dhe hezitimi për të dërguar lajme të hidhura për njerëzit bllokuan paralajmërimin e hershëm. Qeveria kineze ka mohuar vazhdimisht se nuk ka dhënë informacion në ditët e para, duke thënë se raportoi menjëherë shpërthimin në Organizatën Botërore të Shëndetit.

“Akuzat për fshehje apo mungesë transparence në Kinë janë të pabaza”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Zhao Lijian në një konferencë për shtyp të enjten.

Dokumentet tregojnë se kreu i Komisionit Kombëtar të Shëndetit të Kinës, Ma Xiaowei, paraqiti një vlerësim të situatës në një telekonferencë konfidenciale në 14 janar me zyrtarët e tjerë të provincave. Një memorandum thotë se telekonferenca është mbajtur për të përcjellë udhëzime mbi koronavirusin nga Presidenti Xi Jinping, Kryeministri Li Keqiang dhe Zëvendës Kryeministri Sun Chunlan, por nuk specifikon cilat ishin ato udhëzime.

“Situata epidemike është ende e rëndë dhe komplekse, sfida më e rëndë që nga SARS në 2003 dhe ka të ngjarë të shndërrohet në ngjarjen më të keqe që njerëzimi ka parë ndonjëherë”, ka deklaruar Xiaowei

Në një deklaratë tjetër, Komisioni Kombëtar i Shëndetit tha që Kina kishte botuar informacione mbi shpërthimin në “mënyrë të hapur, transparente, të përgjegjshme dhe në kohë”, në përputhje me “udhëzimet e rëndësishme” të lëshuara vazhdimisht nga Presidenti Xi.

Komisioni Kombëtar i Shëndetit shpërndau një seri udhëzimesh prej 63 faqesh për zyrtarët shëndetësorë në krahinat e Kinës. “Udhëzimet nuk duhet të zbuloheshin publikisht”, urdhëruan zyrtarët shëndetësorë në mbarë vendin si dhe kërkuan që të identifikojnë rastet e dyshuara, spitalet të hapin klinika të posaçme për këtë infeksion dhe mjekët dhe infermierët të pajisen me mjete mbrojtëse.

Megjithatë, në publik, qeveritarët vazhduan të minimizojnë kërcënimin.

“Rreziku i transmetimit të qëndrueshëm nga njeriu tek njeri është i ulët”, i tha në janar Li Qun, kreu i qendrës së urgjencës së Qendrës së Kontrollit dhe Parandalimit në Kinë.

Më 20 Janar, Presidenti Xi tha se vendi po përballej me një virus të ri, duke thënë se shpërthimi “duhet të merret seriozisht”. Një epidemiolog kryesor kinez, Zhong Nanshan, njoftoi për herë të parë se virusi ishte i transmetueshëm nga një person në tjetrin në televizionin kombëtar.

Vonesa mund të mbështesë akuzat nga Presidenti i SHBA Donald Trump se sekreti i qeverisë kineze arriti të infektojë të gjithë botën. Sidoqoftë, SHBA dhe vendet e tjera në botë kishin kohë të mjaftueshme për të marrë masa.

“Ata mund të mos e kenë thënë gjënë e duhur, por ata po bënin gjënë e duhur. Na datën 20 ata alarmuan të gjithë vendin, por kjo vonesë nuk ishte pa arsye”, tha Ray Yip, kreu themelues i Qendrës së Kontrollit dhe Parandalimit në ShBA.

Por të tjerë thonë se një paralajmërim i hershëm do të shpëtonte jetë. Nëse publiku ishte paralajmëruar një javë më parë, duke praktikuar distancimin shoqëror, të mbanin maska dhe të anulonin udhëtimet, rastet e të prekurve mund të ishin shkurtuar deri në dy të tretat/AFP