Sport Gerd Myler po shuhet në heshtje. Bashkëshortja: Nuk ha asgjë, po fle...

Gerd Myler po shuhet në heshtje. Bashkëshortja: Nuk ha asgjë, po fle drejt botës së përtejme

Legjenda e futbollit gjerman dhe rekordmen golash në Bundesligë është i prekur nga demencia që në 2008-ën. Bashkëshortja nuk e sheh dot më për shkak të pandemisë: “Por është i qetë, besoj se nuk po vuan”

Fjalë të forta që përshkruajnë një gjendje shumë të rëndë. Uschi Myler, bashkëshortja e legjendarit Gerd Myler, “Bomber der Nation”, ka folur për gjendjen e ish-sulmuesit të famshëm një ditë para 75-vjetorit të lindjes. Gerd Myler, kampion bote me Gjermaninë, prej vitit 2008 vuan nga demencia. Për shkak të sëmundjes ai nuk është shfaqur në publik prej disa vitesh.

“Nuk ha asgjë”, – rrëfen Uschi, që prej vitit 1967 është bashkëshortja e Mylerit (janë njohur në një bar kur ajo ishte 16 vjeç dhe ai 20). Ajo ka folur për “Bild” rreth situatës së Gerdit, i cili prej 5 vitesh jeton në një rezidencë shëndetësore. “Qëndron i shtrirë në shtrat 24 orë në 24. Rrallë reagon dhe është kaq bukur kur hap sytë edhe për pak minuta. Me lëvizjet e qerpikëve përgjigjet me “po” ose “jo” ndaj pyetjeve që i bëjmë. Ndonjëherë shohim bashkë televizor, edhe pse ai nuk kupton asgjë”, – vazhdon Uschi.

Para koronavirusit ajo shkonte dhe e vizitonte bashkëshortin çdo ditë, kurse tani është e pamundur. “Deri një vit më parë ishte gjithçka ndryshe. Shkonim të hanim edhe akullore. Pastaj u shfaq koronavirusi. Për tre muaj nuk munda të vizitoja dhe nuk arrija dot t’i shpjegoja motivin. Këto muaj situata është përkeqësuar. Gerd po shkon drejt fundit, i mban sytë mbyllur dhe më jep përshtypjen se është i qetë, nuk besoj se po vuan. Shpresoj që të mos jetë duke reflektuar për fatin e tij dhe gjendjen aktuale”, – shton bashkëshortja e Mylerit.

Kampion bote në vitin 1974, Gerd Myler ka shënuar 68 gola në 62 ndeshje me Gjermaninë. Vetëm Klose, me 71 gola, por në 137 ndeshje, ka shënuar më shumë se ai me kombëtaren. Me Bajernin ka fituar 4 kampionate dhe 3 Kupa Kampionësh. Për 32 vjet ka qenë shënuesi më i mirë i historisë të Botërorëve me 14 gola, rekord që u thye nga braziliani Ronaldo dhe Klose. Në Bundesligë ka shënuar 365 gola në 427 ndeshje, të gjithë me Bajernin. Është shënuesi më i mirë i kampionatit gjerman, në vend të dytë është Fisher me 268 gola dhe në vend të tretë Levandovski me 246 gola.

Askush nuk ka pasur frekuencën e shënuesit më të mirë të kampionatit gjerman si ai, 7 herë. Po ashtu, Myler është shënuesi më i mirë në një kampionat të vetëm me 40 gola që i realizoi në 1972-shin. Për të gjitha këto është quajtur “Bomber der Nation”, më i miri i të gjitha kohërave për gjermanët. Tani po e mban Gjermaninë në ankth me gjendjen e tij shëndetësore, që sipas rrëfimit të bashkëshortes, tashmë është dramatike.