Aktualitet Gërdeci/ Shkëlzen Berisha në SPAK: Përsërita të gjithë atë që kam thënë...

Gërdeci/ Shkëlzen Berisha në SPAK: Përsërita të gjithë atë që kam thënë publikisht. Nuk kam lidhje me këtë çështje

Shkëlzen Berisha, djali i kryedemokratit Sali Berisha është paraqitur mëngjesin e kësaj të enjteje në SPAK, për të dhënë deklarimet e tij në lidhje me çështjen e Gërdecit. Pas daljes, ai tha se nuk kishte lidhje me këtë çështje dhe se në SPAK kishte deklaruar atë që ka deklaruar edhe publikisht.

Shkëlzen Berisha: Jam pyetur lidhur me rrethanat e hetimit për çështjen e Gërdecit. Sigurish që nuk kisha çfarë t’i ofroja më shumë se ajo që kam deklaruar publikisht. Nuk mendoj që dijenia ime i ka dhënë ndihmë hetimit në fjalë, pasi s’kam asnjë lidhje me këtë gjë. Kam përsëritur të gjitha ato që kam deklaruar publikisht. Kam ardhur sigurisht në respektim të ligjit, si çdo qytetar. Por më bën përshtypje fakti që e njëjta prokurori, të njëjtët prokurorë e njëjta çështje, para 15 vjetësh ka deklaruar publikisht që nuk e ka parë të arsyeshme thirrjen time. Sot pas 15 vitesh e njëjta prokurori, të njëjtën prokurorë e njëjtën çështje, të njëjtat rrethana mendojnë se unë mund të kem ndonjë dijeni për rrethanat e hetimit pas 15 vjetësh.

Cili është shpjegimi juaj në lidhje me një Memo për të cilën është thirrur edhe ish-Ministri i Drejtësisë Aldo Bumçi, në krye të së cilës shkruhet emri juaj? Çfarë shpjegimi i dhatë prokurorisë?

Shkëlzen Berisha: Shpjegimi është e para nuk kam asnjë lidhje me këtë. Ajo që prokuroria duhet t’i thotë publikut, t’i shpjegojë publikut, është, kush e ka bërë.

Çfarë shpjegimi dhatë ju?

Shkëlzen Berisha: Ju thashë që nuk kam asnjë lidhje me këtë. Mendoj që padiskutim prokuroria duhet t’i thotë publikut se e kujt është kaligrafia. Ka 15 vjet që prokuroria nuk i thotë publikut kush e ka bërë atë gjënë. Unë i thashë pa diskutim që ju duhet ta gjeni se e kujt është kaligrafia, nëse nuk është një falsifikim. Pasi në origjinalin e faksit nuk ekziston asnjë e tillë.

Por ndërkohë sekretarja e ish-Ministri të Drejtësisë ka thënë para prokurorëve të Tiranë se ju ka parë të hyni në Ministrinë  e Drejtësisë në atë kohë.

Shkëlzen Berisha: Që unë të futem në Ministrinë e Drejtësisë, ose të takoj miqtë e mi, ose njerëz që unë njoh, nuk do të thotë që unë marr vendime për VKM-të për punën e tyre.  Kam bërë shumë të qartë që nuk kam asnjë lloj lidhje, sepse të komunikosh nuk do të thotë as që je ortak me dikë, as që merr vendime në emër të dikujt.

Do vini prapë nëse thirreni sërish në Prokurori?

Shkëlzen Berisha: Kjo është detyrim ligjor.

Sipas jush është hetuar siç duhet tragjedia e Gërdecit?

Shkëlzen Berisha: Nuk mund ta them sepse un nuk jam ekspert, as prokuror, as gjykatës. Ajo që mund të them është që është politizuar përtej çdo limiti.

A ndiheni i rrezikuar nga SPAK?

Shkëlzen Berisha: Aspak.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i mbylli hetimet për Gërdecin, në fillim të këtij muaji.

Kujtojmë se SPAK regjistroi procedimin penal për ish-Ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, duke e marrë atë të pandehur për ngjarjen e vitit 2008 të ndodhur në Gërdec ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën shumë të tjerë.