Pak pas shembjes së qeverisë populiste, kreu i Partisë Demokratike të qendrës së majtë në Itali, Nicola Zingaretti, i tha presidentit se do të tentonte arritjen e një marrëveshjeje me lëvizjen 5 Yjet.
Vendit i nevojitet një ekzekutiv i ri, i cili të shënojë një pikë kthese, që argumenti i tij, i shoqëruar ndërkohë edhe me kërkesa të shumta. Kreu ë shtetit Sergio Matarella kërkon një marrëveshje të shpejtë qeveritare, në të kundërt, Italia shkon në zgjedhje të reja, ashtu siç dëshiron Matteo Salvini.
Ideja e një koalicioni mes PD dhe 5 Yjeve është më e lakuara deri tani, dhe ekziston një kandidat që duket se mund t’i afrojë të dyja këto forca politike: ai është ish-ministri i punës në qeverinë Letta, Enrico Giovannini, njeriu që mund të kthehej në një kryeministër konsensual për demokratët e levizjen populiste. Giovannini ka shfaqur me kohë një lloj ndjeshmërie ndaj 5 yjeve.
Ndërkohë fakti që lideri i PD-së, Zingaretti deklaroi se një qeveri e re e mundshme e partisë së tij me lëvizjen e formuar nga Beppe Grillo mund të krijojë hapësirë të konsiderueshme për tema mjedisore, u pa menjëherë si shenjë e ndikimit të Giovannini-t, i cili sot duket se është kthyer në njërin prej emrave më të diskutuar për drejtimin e ekzekutivit të ri italian.
Ekonomisti 62-vjeçar, ekspert statistikash, i ka shumë përzemër subjekte të tilla; ishte pikërisht ai që e shoqëroi aktivisten e re pro-ambjentit, Greta Thunberg-un gjatë vizitës së saj në Romë. Partia Demokrate në Itali kërkon një kryeministër të ri për zëvendësimin e Giuseppe Contes-it që aktualisht po shërben si shef ekzekutivi në detyrë, ndërsa në mediat vendase nuk mungojnë as raportet se ndoshta qeverinë për herë të parë mund ta drejtojë edhe një grua.