Evoluimi i gjarpërinjve ka intriguar shkencëtarët për vite me radhë, sepse gjithmonë e kanë ditur që këta vertebrorë kanë pasur këmbë dhe janë përshtatur përgjatë kohës për të jetuar pa to. Por fosilet e pakta nuk kanë arritur të tregojnë kurrë se kur ka ndodhur ky ndryshim.
Gjarpërinjtë mendohet të jenë shfaqur në tokë rreth 163 deri në 174 milionë vite më parë. Përgjatë viteve teori të ndryshme kanë pretenduar se këmbët kanë qenë vetëm në një fazë kalimtare para se gjarpërinjtë të përshtateshin me shpejtësi dhe të merrnin formën e tyre të tanishme.
Por fosilet e zbuluara së fundmi dhe të ruajtura mjaft mirë, ku mund të analizohet veçanërisht kafka e gjarpërinjve, sugjerojnë se ata kanë pasur këmbë të pasme për një periudhë tepër të gjatë kohore. Në studimin e botuar në revistën “Science Advances”, gjarpri i emërtuar “najash rionegrina” është një prej gjarpërinjve të hershëm me këmbë. Studiuesët gjetën tetë kafka, por edhe fosile të tjera, në krahinën e Patagonias në Argjentinë.
“Zbulimet tona mbështesin idenë që paraardhësit e gjarpërinjve modernë ishin me trup dhe gojë të madhe dhe jo të vegjël, siç ishte menduar deri më tani”, tha Fernando Garberoglio, autori kryesor i studimit, pjesëtar i Fondacionit “Azara” në Univeristetin Maimónides, në Buenos Aires. “Studimi gjithashtu zbulon se gjarpërinjtë e hershëm i kanë mbajtur për një periudhë të gjatë këmbët, rreth 70 milionë vite, diçka që sugjeron se ato ishin të nevojshme për gjarpërinjtë dhe jo thjeshtë një pjesë transitore”.