Aktualitet Gjendet trupi i pajetë i Arjan Salës

Gjendet trupi i pajetë i Arjan Salës

U gjet në orët e para të mëngjesit të së shtunës trupi i pajetë i Arjan Salës, 32-vjeçarit që punonte si roje sigurie në magazinën e një qendre tregtare që u përfshi nga flakët 3 ditë më parë në Tiranë.

Trupi i të riut u gjet rreth orës 3 të mëngjesit nga zjarrfikësit pranë një dere të mbyllur dhe u identifikua nga familjarët e tij. Për fatin e të riut nuk dihej asgjë, që prej pasdites së të mërkurës, kur magazinat e kësaj qendre tregtare u përfshinë nga flakët.

32-vjeçari kishte shpëtuar rreth 20 persona që kishin mbetur të bllokuar, por nuk mundi dot që të dalë vetë. I riu u gjet i mbuluar me disa rroba të cilat i kishte përdorur për tu shpëtuar flakëve, ndërsa dyshohet se humbi jetën për shkak të asfiksisë. I riu ishte i martuar dhe baba i një fëmije të mitur.

Ende nuk ka një përfundim të qartë për shkakun e zjarrit, por dyshohet se ai u shkaktua nga një shkëndijë elektrike.

Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmori i Atdheut” njoftoi se me porosi të Kryeministrit Rama është gati ti japë të titullin “Dëshmor i Atdheut”. Pritet përfundimi i shpejte i ekspertizës ligjore dhe propozimit të Prefektit të Tiranës për të marrë vendim të menjëhershëm.