Ambasada e Gjermanisë në Tiranë ka organizuar sot një aktivitet me rastin e 29 vjetorit të bashkimit. Të pranishëm në ceremoni ishin liderët më të lartë të shtetit.
Protokolli kishte përcaktuar që në krah të presidentit Ilir Meta të qëndronte kryeparlamentari Gramoz Ruçi, ndërsa kryeministri Edi Rama ndodhej një rresht pas tyre.
Meta ka reaguar pas ceremonisë duke u shprehur: “Kënaqësi të merrja pjesë sot në pritjen e organizuar nga Ambasada Gjermane në Tiranë, me rastin e 3 tetorit, Ditës së Bashkimit të Gjermanisë dhe t’i shprehja ambasadorit Peter Zingraf urimet më të ngrohta e të përzemërta për popullin mik gjerman. Shqipëria do vijojë të mbështetet fort në Gjermaninë mike dhe partnere strategjike. Mirënjohje të thellë për kontributin e çmuar, të gjithanshëm dhe të përhershëm që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit europian, konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe reformave demokratike!”
Në fotot që zgjodhi për të publikuar në rrjetet sociale, Meta ka shmangur Ramën, por jo Ruçin.