Kryesore Gjermania kërkon heqjen e vetos nga shtetet anëtare të BE-së

Gjermania kërkon heqjen e vetos nga shtetet anëtare të BE-së

Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Heiko Maas i kërkoi sot Bashkimit Europian të heqë mundësinë e vetos që disponon secili nga shtetet anëtare me qëllim që Europa të mos jetë peng në kapacitetet e saj për veprim.

“Ne nuk mund të lejojmë të merremi peng nga ata që paralizojnë politikën e jashtme europiane me vetot e tyre. Ata që e bëjnë këtë luajnë, pak a shumë për një kohë të gjatë me kohezionin e Europës”, theksoi ai.

“Pra, e them hapur, vetoja duhet të zhduket, edhe nëse kjo nënkupton se ne mund të jemi në minorancë”, shtoi ai në një konferencë shtypi në Berlin.

Rregullat e Bashkimit Europian parashikojnë që vendime të caktuara, veçanërisht përsa i përket fiskalitetit ose në çështjet e politikës së jashtme, kërkojnë unanimitetin e shteteve anëtare.

Nga ky sistem lind mundësia që një vend të përdorë veton për të bllokuar, vonuar ose zbutur qëndrimet europiane.

Maas do të drejtojë konferencën e ministrave të jashtëm

Nën drejtimin e ministrit të jashtëm të Gjermanisë, Heiko Maas, zhvillohet të martën konferenca e ministrave te jashtëm të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Procesit të Berlinit. Këtë e bëri të ditur të hënën në Berlin, zëvendëszëdhënësja e ministrisë së punëve të jashtme të Gjermanisë, Andrea Sasse. Konferenca ka për qëllim të parapërgatisë samitin e ardhshëm të krerëve të qeverive, i cili do të zhvillohet nën drejtimin e kancelares Angela Merkel në fillim të korrikut.​​

Sipas Sasses, veç ministrave të jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, aty marrin pjesë edhe ministrat e jashtëm të disa vendeve anëtare të BE-së, si edhe Komisioneri i Zgjerimit, Olivér Várhelyi, dhe Sekretari i Përgjithshëm i Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian, Stefano Sannino. ​​​​​​

Paradhomë e Europës

Procesi i Berlinit është një nismë e kancelares gjermane, Angela Merkel, e krijuar në vitin 2014. Ai ka si synim përmirësimin e bashkëpunimit rajonal ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor për të mbështetur kështu procesin e anëtarësimit në BE të gjashtë vendeve: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Bosnjë-Hercegovinë, Mali i Zi dhe Serbi.

Procesi konsiderohet edhe si “paradhomë e BE-së”. Pas Gjermanisë, si nismëtare, organizatorë të samitit kanë qenë deri tani Austria, Franca, Britania e Madhe, Italia, Polonia dhe Bullgari/Maqedonia.