Kryesore Gjermania tërhiqet nga shtyrja e zgjedhjeve: Duhet dialog politik

Gjermania tërhiqet nga shtyrja e zgjedhjeve: Duhet dialog politik

Një javë pas deklaratës së përbashkët të grupit CDU-CSU, ku rekomandohej mes të tjerash edhe shtyrja e zgjedhjeve për t’i dhënë fund krizës politike, Gjermania ka bërë një hap pas.

Mark Hauptmann, deputet i parlamentit gjerman, në një deklaratë për mediat, thotë se si grup parlamentar, ata nuk kanë të drejtë të kërkojnë shtyrjen e zgjedhjeve në një shtet të pavarur. “De facto, kjo do të mund të konsiderohej si një kërkesë për të ndryshuar Kushtetutën e Shqipërisë dhe ligjin zgjedhor të vendit”, thotë deputeti gjerman.

Ai apelon që qeveri dhe opozitë të ulen në dialog dhe të arrijnë në kompromis për të mirën e stabilitetit të vendit.

“Është e vërtetë se po ndjekim me shumë shqetësim krizën e brendshme në Shqipëri. Për hir të së ardhmes Europiane të Shqipërisë, duhet të zhvillohet dialog midis qeverisë dhe opozitës, si dhe të dyja palët duhet t’i qasen njëra-tjetrës duke qenë të gatshme për kompromis për të mirën e stabilitetit demokratik. Nuk është e zakonshme për ne të ndërhyjmë në çështjet e brendshme të Shqipërisë. Si grup parlamentar, ne nuk kemi të drejtë të kërkojmë shtyrjen e zgjedhjeve në një shtet të pavarur”, – thotë ai.

Sipas tij, nëse do të shtyheshin zgjedhjet, “do të lindnin pyetje mbi sovranitetin e një shteti të huaj. Stabiliteti demokratik po ashtu përfshin detyrimin për të respektuar rregullat e legjislacionit ndërkombëtar”.

Një javë më parë, në një deklaratë të përbashkët për “Deutsche Welle”-n, dy deputetët Johann David Wadephul, nënkryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU në Parlamentin Gjerman dhe njëherësh kreu i grupit të punës për Ballkanin Perëndimor si dhe Christian Schmidt, nga CSU, reporter për Shqipërinë në Komisionin e Punëve të Jashtme, kanë shprehur edhe një herë shqetësimin lidhur me situatën në Shqipëri.

Në deklaratën e tyre, ata u ndalën edhe në mundësinë e shtyrjes së datës së zgjedhjeve vendore të 29 qershorit.