Aktualitet Gjykata lë në burg pa afat “Eskobarin”, nervozohet turku: A keni ligj...

Gjykata lë në burg pa afat “Eskobarin”, nervozohet turku: A keni ligj për të drejtat e njeriut në Shqipëri?

Shtetasi turk Faruk Baybasin i cili konsiderohet nga mediat si “Eskobari i Turqisë” do të vijojë që të qëndrojë në qeli pa afat.

Baybasin u arrestua në datë 24 dhjetor të vitit të kaluar me qëllim ekstradimin drejt Francës dhe për të gjykata vendosi masën e sigurisë  “Arrest me burg për 40 ditë”, afat që përfundonte sot dhe avokati kërkoi shuarjen.

Mirëpo siç shkruan Shqiptarja.com, në seancën e sotme që u zhvillua në gjykatën penale të Tiranës, gjyqtarin Gert Hoxha e ka lënë sërish në burg.

Kjo e ka nervozuar turkun i cili ka debatuar me gjyqtarin.

Debati:

Baybašin: Dua të bëjë një pyetje. A është në fuqi ligji për të drejtat e njeriut në Shqipëri? Unë nuk kam qenë asnjëherë në Francë.

Gjyqtari Gert Hoxha: I kemi të gjitha ligjet, madje ligje që ju nuk i keni në Turqi.

Baybašin: Kam 40 ditë këtu, duhet të isha liruar, në bazë të të drejtave të njeriut.

Gjyqtari: Kur të shkoni në Francë kërkoni ndryshimin e vendimit, i cili u mbaron në vitin 2003. Ndaloj ekstradimin në Francë vetëm nëse rezulton gjatë gjykimit që nuk mund të bëhet një gjë e tillë.

Gjykata do i vërë në dispozicion të gjitha aktet e vendimit të dënimit në Francë, të cilat do përkthehen me afat dy javor. Seanca e radhës në datën 04 shkurt, ora 10:00.