Dy gjyqtarë të Apelit Durrës, Kliton Spahiu dhe Petraq Dhimitri, të cilët u dënuan për korrupsion për atë që njihet si afera “El Clasico”, dyshohet se u mikpritën në shtëpinë e një eksponenti të mafies napolitane gjatë një vizite në Itali.
Geri Emiri / BIRN
Në mbrojtjen e bërë përpara Gjykatës për Krime të Rënda, gjyqtari i Apelit Durrës, Petraq Dhimitri deklaroi se gjatë një vizite në Itali në tetor 2014, ai kishte qëndruar në shtëpinë e një shtetasi italian të quajtur Ferdinando Muollo së bashku me kolegun e tij, Kliton Spahiu.
“Unë, kolegu im Kliton Spahiu dhe miku ynë i përbashkët Artan Shqypi kemi qëndruar në banesën e shtetasit italian Ferdinando Muollo, në periferi të Napolit,” deklaroi Dhimitri, duke kundërshtuar pretendimin e Prokurorisë se udhëtimi i tyre ishte paguar nga një biznesmen nga Durrësi.
Spahiu, Dhimitri dhe gjyqtari tjetër i Apelit të Durrësit, Petrit Çeno u dënuan përpara një jave për korrupsion pasiv nga Gjykata e Krimeve të Rënda, pasi dyshohet se kanë përfituar udhëtime jashtë shtetit – njëri në Itali dhe tjetri në Spanjë për të parë ndeshjen e futbollit ‘Real- Barcelona,’ nga një biznesmen durrsak palë në një çështje gjyqësore.
Të hënën, Prokuroria e Durrësit urdhëroi sekuestrimin e pasurisë së Muollos në Shqipëri me vlerë 720 mijë euro. Në kërkesën për sekuestro preventive që prokuroria i ka nisur Gjykatës së Durrësit, “bujtësi” i gjyqtarëve –Muollo përshkruhet si një eksponent i rëndësishëm i mafias Napolitane, e njohur ndryshe si Kamorra.
I pyetur nga BIRN nëpërmjet telefonit, gjyqtari Petraq Dhimitri mohoi të kishte kontakt me shtetasin italian.
“Nuk kam asnjë informacion për akuzat që thoni dhe as ndonjë kontakt për shtetasin italian që përmendni”, tha Dhimitri. Gjyqtari Kliton Spahiu nuk iu përgjigj një kërkese për koment për lidhjet e tij me Muollon.
Ndërkohë, biznesmeni Artan Shqypi pranoi se e kishte vizituar në vitin 2014 Muollon në Itali se bashku me dy gjyqtarët Dhimitri dhe Spahiu. Ai shtoi megjithatë se nuk kishte dijeni për aktivitetin kriminal të Muollos.
I dënuar për vrasje
Sipas kërkesës së Prokurorisë së Durrësit për sekuestron e pasurive, Ferdinando Muollo rezulton pjesë e familjeve mafioze të Napolit dhe i dënuar për urdhërimin e një vrasjeje për llogari të njërit prej grupeve kriminale në Scafati, një qytet në provincën e Salernos në jug të Italisë.
Në kërkesën e Prokurorisë citohen edhe fakte penale nga jeta e Muollos në Itali, ku napolitani rezulton si nxitësi i një përplasjeje mes dy familjeve të Kamorras në këtë qytet. Muollo është dënuar gjithashtu për urdhërimin e vrasjes së ortakut të tij të biznesit, Salvatore Ridosso nga familja Ridosso.
Vrasja e Salvatore Ridossos nga Muollo, e ndodhur në vitin 2002, solli përplasje mes dy familjeve dhe u pasua nga një seri vrasjesh. Antimafia italiane e ka ndjekur Muollon, i akuzuar si pjesë e klanit “Tammaro/Lauro/Muollo” prej vitesh dhe pas një sërë hetimesh ai është dënuar një vit më parë me 12 vjet e 6 muaj burg.
Motivet e vrasjes, sipas kërkesës për sekuestro që i referohet hetimit të prokurorisë italiane, rezulton të ketë qenë ambicia e Muollos.
“Për të rritur fuqinë e tij kriminale në Sfacati dhe për të marrë drejtimin e aktiviteteve kriminale, që më parë i kishte në dorë viktima, përmes disa shoqërive ekonomike legale dhe ilegale,” thuhet në kërkesën e prokurorisë.
Gjyqi për korrupsion zbardh lidhjen me kamorristin
Tre gjyqtarët e Apelit të Durrësit, Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno u shpallën fajtorë me 28 tetor dhe u dënuan me nga 2 vjet burg secili për veprën penale të korrupsionit, ndërkohë që biznesmeni Namik Sadik, i akuzuar se u ka paguar atyre udhëtimin në Madrid me 24 tetor 2014 u dënua me një vit burg. Çështja u bë njohur në publik si ‘El Classico’ sepse gjatë vizitës në Madrid, dyshohet se gjyqtarët dhe Sadiku kanë parë ndeshjen derbi mes Real Madridit dhe Barcelonës.
Sadiku akuzohej fillimisht nga Prokuroria se u kishte sponsorizuar gjithashtu gjyqtarëve Spahiu dhe Dhimitri një udhëtim në Itali në 2 tetor 2014. Por nga hetimi gjyqësor ka dalë në pah se biletat e avionit për udhëtimin të dy gjyqtarëve drejt Italisë janë prenotuar nga biznesmeni Artan Shqypi.
Ndërkohë, Muollo ka deklaruar për prokurorinë shqiptare se kishte mikpritur në shtëpinë e tij në Napoli “Shqypin, gjyqtarin Petraq Dhimitri dhe dy persona të tjerë, të cilët nuk i njihte, por njëri ishte prezantuar si gjyqtar”.
Muollo dhe Shqypi kanë qenë ortakë në shoqërinë “TargeT Albania” sh.p.k, e cila paraqitet në QKB në likujdim e sipër. I pyetur nga BIRN, Shqypi pranoi njohjen me Muollon dhe vizitën në Itali bashkë me dy gjyqtarët e Gjykatës së Apelit Durrës, Dhimitri dhe Spahiu, por tha se nuk kishte dijeni për aktivitetin kriminal të italianit. Ai tha se Muollo kishte vite që vinte në Shqipëri dhe se vizita e tij në Itali kishte për qëllim reklamimin e produkteve dentare.
Gjatë leximit të pretencës mbi çështjen “El Classico”, rezulton se në udhëtimin drejt Italisë të gjyqtarëve Kliton Spahiu dhe Petraq Dhimitri, Artan Shqypi kishte prenotuar biletat dhe se të tre kishin qëndruan në banesën e Muollos. Gjatë procesit, prokuroria ka paraqitur si provë për këtë udhëtim deklarimet e pronarit të agjencisë ku ishin prerë biletat, deklarimin e Artan Shqypit si dhe atë të Muollos.
“Ai shoqërohej me profesorë, me doktorë”, tha Shqypi për ish-ortakun e tij, duke shtuar se “ishte habitur” për akuzat. Shqypi pretendoi se Muollo prej vitesh furnizonte shumë klinika dentare në Shqipëri dhe se në disa raste, kishte qenë në Napoli me 50 dentistë.
Vetë gjyqtari Dhimitri në mbrojtjen e tij e paraqiti qëndrimin e Muollos si një prej alibive që synonte të rrëzonte akuzën se udhëtimi i tyre në Itali ishte paguar nga biznesmeni durrsak, Namik Sadik. Por alibia duket nuk ka marrë parasysh statusin e personit që shërbeu si bujtës.
Sekuestro e pasurisë të Muollos
Policia e Durrësit njoftoi të hënën sekuestrimin e pasurive të Muollos, përfshi 5 apartamente dhe 13 garazhe në lagjen numër 13, Plazh, së bashku me 1 automjet dhe disa llogari bankare.
Policia thotë se pasuritë e sekuestruara kapin vlerën 750,000 eurove, ndërsa një sërë kompanish në të cilat Muollo ishte ortak kanë rezultuara të pezulluara, me humbje dhe të tjetërsuara.
Operacioni sipas policisë u krye pas vendimit të Gjykatës së Durrësit më datë 29 tetor mbi masën e sekuestros preventive, kërkuar nga prokurori Pali Deçolli që udhëheq hetimin mbi procedimin penal nr. 831.
Pas nisjes së hetimit nga prokuroria dhe marrjes së letër-porosisë nga organet e drejtësisë në Itali, rezultoi se Muollo ishte i dënuar në shtetin fqinj për pjesëmarrje në vrasjen e drejtuesit të një klani rival.
Gjykata e Apelit në Salerno, në vendimin e datës 26 tetor 2018 e shpalli fajtor Muollon për porositjen e vrasjes së Salvatore Ridossos. 56-vjeçari njihej me nofkën “Dentisti”, ashtu siç policia kishte pagëzuar operacionin e saj, dhe kishte mbaruar edhe studimet në fushën e stomatologjisë.
Për herë të parë ai e shkeli tokën shqiptare në vitin në vitin 2012, duke regjistruar shoqërinë “TargeT Albania” sh.p.k, me objekt prodhimin dhe tregtimin e medikamenteve dhe pajisjeve dentare.Tre vite më vonë, ai regjistroi shoqërinë “Industrie Cosmetiche e Farmaceutiche”, me objekt prodhimin dhe tregtimin e pajisjeve mjekësore-kirurgjikale, për larje dhe dezinfektim ambientesh, ku zotëronte 45 % të kapitalit. Po në vitin 2015, Muollo ka regjistruar shoqërinë “Ksenon Poliklinica”, me objekt laboratore dentare – ku fillimisht zotëronte 95 % të aksioneve. Në vitin 2018 ai i ka shitur aksionet në këtë kompani.
Një prokuror që foli në kushte anonimati i tha BIRN se dyshohej që aktivitetet tregtare të Ferdinando Muollos në Shqipëri nuk kishin si objekt fitimin, por pastrimin e parave. Nga historiku i subjekteve të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, rezulton se ato kanë ndërruar shpesh status, nga “aktiv” në “pasiv” dhe disa janë të pezulluara.