Ka mbetur edhe një javë kohë për çdokënd që pretendon postin e Inspektorit të lartë të drejtësisë, institucionit më të ri të Reformës në Drejtësi, i cili nuk ekziston ende, e që duhet të hetojë gjyqtarët dhe prokurorët e dyshuar për shkelje administrative.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, me seli pranë Gjykatës së Lartë, shpalli si kufi të fundit kohor datën 20 mars për konkurrentët që do të synojnë postin e Inspektorit të lartë të drejtësisë, por deri më tani askush nuk ka shprehur vullnetin dhe nuk ka dorëzuar dokumente pranë KED-së.
“Nëqoftëse Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor nuk iu shkon një kërkesë dhe një raport nga autoriteti kushtetues që është inspektori i lartë i drejtësisë, për një procedim disiplinor për gjyqtarë dhe prokurorë, KLGJ dhe KLP nuk marrin dot një nismë të tyre për të filluar dhe përfunduar një procedim disiplinor”, tha Artan Hoxha, ekspert i nivelit të lartë.
Të vetmit që vazhdojnë të jenë në garë janë 3 pretendentët e listës së dorëzuar dy vite më parë, por që edhe ata duhet të rifreskojnë dokumentacionin. Konkurrentët e deritanishëm që kanë shprehur vullnetin për në ILD gjatë vitit 2017 janë: zonja Marsida Xhaferrllari, për të cilën Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk dha asnjë vendim nëse duhej të shkarkohej apo konfirmohej në detyrë, por u shpreh me një vendim neutral, duke hequr dorë nga gjykimi. Është gjithashtu edhe anëtari i Gjykatës Administrative, zoti Artur Malaj, për të cilin është apeluar vendimi pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, pavarësisht se KPK-ja e konfirmoi në detyrë, si dhe zonja Lefterie Lleshi.
“Shpalljet kanë qenë të vjetra. Tani vijmë me shpalljet e reja, vijmë në një kuadër të ri pasi ne sot i kemi të krijuara edhe KLGJ-në, edhe KLP-në. Është vet Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i cili do të ndjekë ligjin dhe rregullat e përcaktuara. Kjo renditje e këtyre kandidatëve i propozohet më tej Kuvendit të Shqipërisë”, tha më tej eksperti i nivelit të lartë, Artan Hoxha.
Por nën frymën e Kushtetutës, ILD duhej të kishte nisur nga puna në qershor të vitit 2017 dhe diçka e tillë nuk është bërë ende e mundur, për shkak se dy KED me mandate të mëparshme e dogjën afatin e tyre njëvjeçar me mosfunksionim.
“Besoj se deri në datën 20, ne do të kemi kandidatë. Ajo që unë do të dëshiroja është që kandidatët të jenë të atij niveli, që Kushtetuta e parashikon për Inspektorin e lartë të drejtësisë”, tha Artan Hoxha.
Për shkak të mosfunksionimit të ILD-së, që prej ngritjes së Këshillit të Lartë Gjyqësor janë arkivuar 180 ankesa të qytetarëve, të cilat nuk ka kush t’i trajtojë.
“Në kushtet kur nuk ekziston zyra e Inspektorit të lartë të drejtësisë është e pamundur që të ketë një trajtim të kërkesave të qytetarëve”, tha Ilir Qafa, avokat.
Nëse do të funksiononte ILD-ja, do të ishte shqyrtuar ankesa ndaj 3 gjyqtarëve që hoqën vendimin e burgimit të përjetshëm për Dritan Dajtin, apo ankesat e opozitës për prokurorin e Përgjithshëm të Përkohshëm, zonjën Arta Marku.