Aktualitet Goditet mafia shqiptare në Belgjikë: Ishte zbulimi i një bote të re...

Goditet mafia shqiptare në Belgjikë: Ishte zbulimi i një bote të re kriminale

Pamje nga aksioni i policisë ne Belgjike

30 shtetas, pjesëtarë të një bande kriminale shqiptare, janë arrestuar gjatë një operacioni ndërkombëtar të policisë më Belgjikë.

Mediat belge thonë se policia në Antwerp bastisi 17 banesa ku u sekuestruan armë, kokainë, para, ora luksoze, diamante dhe automjete.

Operacione policore u zhvilluan në të njëjtën kohë edhe në disa vende të tjera evropiane. Dhjetëra persona u arrestuan gjatë rreth 60 kontrolleve të shtëpive në Spanjë, Itali, Gjermani, Kroaci dhe Holandë.

“Ishte zbulimi i një bote të re kriminale në të gjithë territorin e Brukselit, e cila deri më tani ka arritur të mbetet kryesisht e padukshme”, tha Eric Jacobs, drejtor i Policisë Gjyqësore Federale të Brukselit.

Sipas prokurorit federal, hetimi zbuloi një organizatë kriminale, anëtarët e së cilës vinin kryesisht nga Evropa Lindore dhe jetonin në Bruksel, por kishte edhe bazat e saj operative në rajonin e Antwerp, kryesisht pranë portit.

Organizata do të transportonte kokainën që arrinte në kontejnerë në portet e Antwerp dhe Roterdamit për në vende të tjera evropiane, përfshirë Italinë dhe Spanjën.