Aktualitet Goditet tentativa për trafik droge drejt Malit të Zi, sekuestrohet valixhja me...

Goditet tentativa për trafik droge drejt Malit të Zi, sekuestrohet valixhja me kanabis

Një rast i trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Malit të Zi është zbuluar nga Policia e Malësisë së Madhe dhe sektori i narkotikëve në Drejtorinë e Policisë Shkodër.

Një automjet me të cilin udhëtonin 3 të rinj u ndalua në aksin Koplik-Hani i Hotit në fshatin Grizhë.

Gjatë kontrollit në automjet, në një valixhe, Policia gjeti 16 pako të mbushura me lëndë narkotike cannabis sativa dhe një qese plastmasi të mbushur po me lëndë narkotike cannabis sativa, me peshë 17 kilogramë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin dhe tre aparate celuluare.

Policia thotë se në pranga janë vënë të rinjtë: Klevis Gurraj, 20 vjeç, banues në fshatin Alijaj, Malësi e Madhe (drejtuesi i automjetit);

Jozef Kaçaj, 19 vjeç, banues në fshatin Alijaj, Malësi e Madhe (pasagjer);

Enes Osmani, 22 vjeç, banues në fshatin Shtoj i Ri, Shkodër (pasagjer).

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.