Kryesore Greqia del garant: Bindim Macronin për t’i hapur negociatat Shqipërisë

Greqia del garant: Bindim Macronin për t’i hapur negociatat Shqipërisë

Pas vizitës së kryeministrit Rama në Athinë ku u takua me homologun Kiriakos Micotaqis, Greqia duket se po shton përpjekjet për të lobuar me vendet skeptike për çeljen e negociatave me Shqipërinë.

Ministri i Jashtëm i Greqisë Nikos Dhendias në një intervistë radiofonike u shpreh i zhgënjyer për veton e Francës, duke theksuar se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk mund të presin, bën të ditur Vizion Plus.

“Me vendimin që mori Bashkimi Europian për negociatat në samit tashmë është krijuar një vakuum politik ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. I kanë lënë të presin. Pritja nuk është politikë. Pritja nuk është qëndrim. Ne si Greqi kemi shumë gjëra për t i thënë Europës dhe mund të bëjmë shumë gjëra për këto dy vende”, tha Dhendias

Kryediplomati grek u tregua optimist se Athina zyrtare mund të bindë presidentin francez Emmanuel Macron.

“Po sikur unë t’ju them se Greqia mund ta bindë Macronin? Ne kemi folur edhe me Italinë edhe me Francën e Gjermaninë. Për ne është një çështje e menjëhershme. Është fqinjësia jonë. Rajoni është vendi ku ekonomia greke duhet të riaktivizohet pas krizës ekonomike. Jemi shumë të kujdesshëm pasi nuk dëshirojmë dështime. Pyetja është se çfarë do të ndodhë. Sepse nëse ‘jo’ përsëritet, kthehemi në pikën fillestare të diskutimit”, theksoi Dhendias.

Çështja e nisjes së bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe metodologjia e re e inicuar nga Franca, pritet të diskutohet në samitin e ministrave të Jashtëm në datë 19 nëntor./ Gerta Banushi/Vizion Plus