Bota Greqia lehtëson masat, hapen kishat e parukeritë, por jo restorantet dhe dyqanet

Greqia lehtëson masat, hapen kishat e parukeritë, por jo restorantet dhe dyqanet

Grekët do të mund të shijojnë pak liri, nga 13 dhjetori deri në 7 janar, kur qeveria ka vendosur të lehtësojë kufizimet, me rastin e festave. Megjithatë, restorantet dhe dyqanet e shitjeve me pakicë do të vijojnë të qëndrojnë të mbyllura.

Shumica e grekëve thonë se e mirëkuptojnë vendimin e ri.

“Mendoj se masat e reja do të mbrojnë shëndetin tonë. Mendoj se nuk e ndihmojnë rimëkëmbjen ekonomike, por mes shëndetit dhe ekonomisë ne zgjedhim shëndetin”, thotë një qytetar.

Zëdhënësi i qeverisë, Stelios Petsas, dhe ministri për Zhvillim dhe Investime, Adonis Georgiadis, thanë se nga 13 dhjetori, dyqanet që shesin me pakicë mund të pranojnë porosi online apo me telefon nga klientët.

Këta të fundit do të munden t’i marrin produktet te dera e dyqaneve,  ndërsa pagesën do ta bëjnë në mënyrë elektronike. Ndërkaq, parukeritë, libraritë dhe kishat mund të hapen nën rregulla strikte, ndërsa koha e shtetrrethimit dhe karantinës do të shkurtohen.

Lëvizja do të jetë e ndaluar nga ora 22:00 deri në 05:00 të mëngjesit. Që prej 26 tetorit, Greqia ka raportuar infektime 4-shifrore, me përjashtim të dy ditëve.

Sipas autoriteteve, shumica e personave të prekur janë nga mosha 40 deri në 64 vjeç. Ndërkaq, në repartet e kujdesit intensiv është ezauruar 83 për qind e kapaciteteve. Në rajonin e Atikës, janë 77 për qind e shtretërve ndërsa në Selanik, 91 për qind. Rastet e konfirmuara arritën në mbi 124 mijë të dielën, ndërsa vdekjet i tejkaluan 3600.