Greta Thunberg, aktivistja e klimës e cila u bë e famshme kohët e fundit dhe mori qendrën e vëmendjes me fjalimin e saj në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, ka publikuar një mesazh për të gjithë ata që pas fjalimit e kanë tallur dhe e kanë përçmuar.
“Unë nuk duhej të isha këtu, por në shkollë, në pjesën tjetër të oqeanit. Sërish ju vini tek ne të rinjtë dhe kërkoni shpresë. Si guxoni? Ju më keni grabitur ëndrrat dhe fëmijërinë time me fjalë boshe, dhe prapë jam nga fatlumët. Njerëzit po vuajnë, po vdesin, i gjithë ekosistemi po shembet”, tha Thunberg në fjalimin që bëri xhiron e botës, por edhe që ndau opinionin publik.
Për këtë arsye, vetë aktivistja 16-vjeçare reagoi në Twitter.
“Siç mund ta keni vënë re, kritikët janë më aktivë se kurrë. Duke u marrë me mua, me pamjen time, me rrobat e mia, me sjelljen time… Po thonë gënjeshtra të pabesueshme dhe teori konspirative. Duket se do të bëjnë gjithçka për të hequr vëmendjen, pasi duan me patjetër që të mos flasin për ndryshimet klimaterike dhe krizën ekologjike. Të jesh ndryshe nuk është sëmundje. Sinqerisht që nuk e kuptoj se si të rriturit zgjedhin të harxhojnë kohën duke u tallur me adoleshentët që promovojnë shkencën, kur mund të bëjnë diçka të mirë në vend të kësaj. Ndoshta ndihen shumë të kërcënuar prej nesh”, shkroi Greta Thunberg në rrjetin social.