Kosova Hashim Thaçi jep dorëheqjen: Do të dalim faqebardhë

Hashim Thaçi jep dorëheqjen: Do të dalim faqebardhë

Thaçi dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura

Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqjen si President i Kosovës. Në një deklaratë për mediat Thaçi njoftoi se Dhomat e Specializuara në Hagë i kanë konfirmuar aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

“Para pak çastesh jam informuar prej njerëzve kompetentë zyrtarisht që gjykatësi i procedurës paraprake pranë Dhomave të Specializuara ka konfirmuar aktakuzën ndaj meje. Nuk do të lejoj në asnjë rrethanë që para gjyqit të dalë Presidenti i Republikës së Kosovë, prandaj për të mbrojtur integritetin e Presidencës së Republikës së Kosovës, integritetin e shtetit të Kosovës, integritetin dhe dinjitetin e qytetarit të Kosovës, popullit të Kosovës, duke respektuar edhe partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare unë sot jap dorëheqje nga pozita e Presidentit të Republikës së Kosovës”, tha Thaçi në një konferencë për mediat në Prishtinë.

“Janë këto momente jo të lehta për mua, për familjen dhe për ju që më keni mbështetur dhe besuar për këto tri dekada gjatë përpjekjeve tona për liri, pavarësi dhe shtetndërtim. Unë do të bashkëpunoj ngushtë me drejtësinë dhe nga ky moment jam në dispozicion të drejtësisë, duke besuar në drejtësi, unë besoj në të vërtetën, pajtimin dhe të ardhmen e shtetit tonë, ju lus dhe ju bëj thirrje që të mos e humbisni shpresën, durimin dhe besimin. Sot më shumë se kurrë ju ftoj që të reflektojmë se sa shumë kemi fituar si komb në këto tri dekada”, tha Thaçi.

Thaçi u shpreh krenar që kishte qenë pjesë e UÇK-së dhe theksoi se asnjë pretendim nuk mund të rishohë apo të rishkruajë historinë e Kosovës.

“Jam krenar që kam qenë pjesëtar i UÇK-së. Jam krenar që  bashkë me aleatët tanë, me NATO-n, kemi luftuar regjimin gjenocedial të Millosheviçit dhe jam krenar që bashkërisht e kemi fituar lirinë. Asnjë pretendim nuk mund të rishohë apo të rishkruajë historinë. Kosova ka qenë viktima, Serbia ka qenë agresori. Kjo situatë është një mundësi e re për Kosovën dhe duhet ta shndërrojmë në avantazh për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës. Ju lus për qetësi dhe unitet e bashkim. Të qëndrojmë të bashkuar, kjo është ajo që e garanton suksesin tonë”.

“Kjo nuk është lamtumirë, por mirupafshim. Do të dalim faqebardhë”, shtoi ai.

Më 24 Qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi se më 24 Prill i kishte dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën Presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Sipas Zyrës së Prokurorit, ata janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë “qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.

Në Korrik, Thaçi u mor në pyetje nga prokurorët në Hagë për katër ditë me radhë, ku foli për rolin e tij, përgjegjësitë e tij gjatë luftës, në periudhë që mbulon mandati i Gjykatës Speciale.