Aktualitet Henri Çili flet për “zyrtarin e lartë të drejtësisë” dhe a dyshonte...

Henri Çili flet për “zyrtarin e lartë të drejtësisë” dhe a dyshonte se po përgjohej

Botuesi Henri Çili ka folur në emisionin “Open” edhe për një takim të pretenduar nga prokuroria me një zyrtar të lartë të drejtësisë. Ai mohoi që të ketë ndodhur një takim i tillë.

“Me një drejtues të lartë të drejtësisë? Në 14 shkurt dhe asnjë datë tjetër nuk kam zhvilluar asnjë takim në lidhje me këto dy çështje. Dhe në jetën time nuk kam takuar asnjë gjyqtar në lidhje me çështje gjyqësore. Nuk ka asnjë provë që të kem bërë një takim të tillë. Le ta paraqesin këtë provë.

Le të japin emrin. Nuk e di pse organi i akuzës nuk e publikon këtë emër. Nuk kam takuar asnjë gjykatës dhe asnjë zyrtar të sistemit të drejtësisë. Në jetën time nuk kam takuar asnjë gjykatës. Unë takoj shumë njerëz, për kafe, miqësi, etj. Është nonsens të përshkruajmë të gjitha takimet tona në 24 orë të ditës.

Nuk ka asnjë marrëveshje të fshehtë për të mos e publikuar emrin. Nëse do qëndrojë kjo akuzë e ndikimit të zyrtarëve të lartë çështja duhet t’i kalojë SPAK. Presim të na vijë dosja nga Përmeti që të shohim se për çfarë bëhet fjalë”, tha Çili që më pas foli edhe për përgjimet duke treguar se nuk ka dyshuar kurrë se ishte nën survejim.

“Jo vetëm nuk jam ndier i përgjuar për këtë kohë. Nuk më ka shkuar në mend kjo gjë. Kur ndaluan avokatin tim rreth orës 19.00 unë shkova të drejtoria e policisë dhe më thanë se ishte nisur për në Gjirokastër. Më pas rreth orës 20.00 jam nisur në shtëpi pa pasur asnjë ide për veten”, tha Çili.