Bota Zbulohet lista e 12 mijë nazistëve që jetuan në Argjentinë: Shumica me...

Zbulohet lista e 12 mijë nazistëve që jetuan në Argjentinë: Shumica me llogari bankare në Zvicër

Historianët në Argjentinë bëjnë me dije se së fundmi kanë zbuluar listën e 12 mijë nazistëve që jetuan në vend në vitet 1930 dhe shumë prej tyre me llogari bankare në Zvicër.

Qendra “Simon Wiesenthal”, me seli në SHBA, e njohur për gjurmimin dhe zbulimin e nazistëve, i ka kërkuar bankës zvicerane “Credit Suisse” të identifikojë këto llogari të fjetura bankare. Sipas qendrës ka shumë mundësi që këto llogari bankare të kenë paratë e hebrenjve të persekutuar gjatë luftës.

Këto dokumente historike u gjetën në një dhomë magazinimi në një ndërtesë në Buenos Aires, e cila ka qenë seli e nazistëve.

Gjermanët nazistë nisën të sekuestronin qindra pasuri të hebrenjve në vitin 1935 pasi aprovuan ligjet raciste dhe sasi të mëdha parash u vodhën gjatë Holokaustit në vitet 1940. Pjesa më e madhe e këtyre pasurive u transferua në mënyrë sekrete në llogari bankare në Zvicër.

Përmes një deklarate të publikuar në faqen zyrtare, qendra “Simon Wiesenthal” shkruan se shumë nga nazistët, në listën e gjetur në Argjentinë, kanë kontribuar në të paktën një llogari bankare në “Schweizerische Kreditanstalt”, e cila më pas e ndërroi emrin në “Credit Suisse”.

Nga vitet 1930-1938 Argjentina kishte një regjim ushtarak pro-nazist që drejtohej nga presidenti Jose Felix Uriburi, i njohur me nofkën “Von Pepe”, i cili u pasua nga Agustin Pedro Justo.

Lista u gjet nga një komision special i ngritur gjatë presidencës anti-naziste të Roberto Ortiz, i cili e mori pushtetin pas vitit 1938. Komisioni në atë kohë ushtroi një kontroll në Bashkimin e Sindikatave Gjermane.

Në vitin 1943 një grusht ushtarak shteti riktheu regjimin pro-nazist në Buenos Aires dhe gjetjet e këtij komisioni u dogjën. Por së fundmi, hetuesi argjentinas, Pedro Filipuzzi gjeti një kopje origjinale të dokumentit ku listohet të 12 mijë nazistët.

Në një deklaratë për mediat Credit Suisse bën me dije se ka bashkëpunuar gjatë hetimit “Volcker” në vitet 1997-1999 për të zbuluar llogaritë bankare që iu përkisnin viktimave të persekutimit nazist dhe premton se do të bëjë të njëjtën gjë dhe pas zbulimit të provave të reja.

Gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, disa vende të Amerikës së Jugut, duke përfshirë këtu Argjentinën, ishin parajsa të sigurta për nazistët, pasi ato drejtoheshin nga diktatorë ushtarakë.

Disa nga kriminelët më të kërkuar të luftës u arratisën në Amerikën e Jugut, përfshirë këtu Adolf Eichaman, një nga organizatorët kryesorë të Holokaustit. Ai u rrëmbye nga agjentët izraelitë në Argjentinë në vitin 1960 dhe u ekzekutua në vitin 1962 pas një gjyqi të zhvilluar në Jeruzalem.