Verën e këtij viti ishte me valixhe në duar, por me ndërhyrjen e trajnerit Sarri mbeti te Juve. Ai po luan rol kryesor në Serie A dhe në Ligën e Kampionëve
Gonzalo Higuain është njeriu i momentit te Juventusi. Sulmuesi argjentinas po zhvillon një sezon shumë pozitiv edhe pse largimi i tij nga bardhezinjtë dukej i sigurtë. Megjithatë dëshira e El Pipitas për të treguar veten dhe për të vazhduar aventurën e tij me kampionët e Italisë, ka dhënë frytet e veta pasi tashmë Maurizio Sarri po i merr më të mirën sulmuesit argjentinas.
Pasi i dha fitoren ndaj Interit, Higuain rezultoi deçiziv në një tjetër transfertë delikate atë ndaj Atalantës. Në Bergamo El Pipita shënoi dy herë duke përmbysur shifrat me Juven që arriti një fitore shumë të rëndësishme.
Në prag të sfidës së Ligës së Kampionëve kundër Atletico Madridit, u shpreh se dëshira e tij ka qenë vetëm të qëndronte te Juventusi dhe për këtë arsye ka refuzuar çdo ofertë që i ka ardhur. ”Ndihem i lumtur, jo vetëm për shkak të zgjedhjes për të qëndruar, por edhe për mënyrën se si jam trajtuar nga shokët, klubi, stafi, tifozët. Jam shumë i lumtur që qëndrova këtu, kam kaluar eksperienca të mrekullueshme. Për momentin po shkon gjithçka mirë, por nuk jam i kënaqur. Sezoni është i gjatë dhe ka akoma shumë për të bërë nga këtu deri në fund. Sarri është shumë i rëndësishëm për mua. Ai ka patur të drejtë duhet të ndryshoja diçka në kokën time. Jam i lumtur që jam këtu te Juventusi dhe me një si ai në drejtim”, theksoi sulmuesi argjentinas.
Nesër do të përballeni me Aletico Madrid…
Është një ekip që duhet të respektohet. Ai fitoi respektin e të gjithëve dhe do të jetë një ndeshje e ndërlikuar. Ne jemi kualifikuar, por do të përpiqemi të fitojmë, për të ruajtur kreun e grupit. Fitoret dhe të qenit i pari i grupit janë shumë të rëndësishme.
Po i ndani minutat e aktivizimit me Dybala…
Kur ka lojtarë të shkëlqyeshëm, kjo është normale. Në një ekip si Juventusi duhet ta pranoni këtë, të shfrytëzoni të gjitha mundësitë që ju jepen, për të përfituar plotësisht. Ne përpiqemi të bëjmë sa më mirë që mundemi. Trajneri na ndihmon për këtë.
Si ndryshon të luajturit me Dybala dhe Cristiano Ronaldo?
Janë të ndryshëm, por mua më pëlqen të luaj me ta. Mundohem të përshtatem me cilësinë e tyre dhe përpiqem të përfitoj sa më shumë nga kjo.
A duhet ta falënderoni Sarrin apo anasjelltas?
Më trajnerin Sarri kam kaluar sezonet më të mira të karrierës sime. Jam i lumtur që punoj me të dhe bëj atë që më kërkon. Sezoni është i gjatë, do të bëj atë që mundem për ta ndihmuar skuadrën. Fillimi i sezonit është i mirë. Nuk luajmë ndritshëm, por jemi në rrugën e duhur.
Duket sikur po ia merrni fronin Cristianos…
Nuk erdha sërish këtu për ta marrë fronin nga askush. Ne e dimë që Cristiano është një lojtar fitues, ndërsa unë përpiqem ta ndihmoj ekipin të fitojë.
Ju keni luajtur edhe më parë me Ronaldon. Fillimisht e keni patur bashkëlojtar, pastaj si rival, tani luan përsëri në krah të tij. Si e shihni?
Cristiano u rrit së tepërmi me kalimin e viteve, ai ka fituar shumë. E njoh mirë edhe si njeri, jam i lumtur me këtë marrëdhënie. Ndihem shkëlqyer që jemi bashkë edhe te Juventusi.