Nga Enver Robelli
Për ta kuptuar se deri ku ka arritur deformimi në opinionin publik shqiptar, shikoni tekstet, belbëzimet e llomotitjet kundër Alketa Vejsiut.
Ajo u ftua të moderojë festivalin e famshëm të Sanremos në Itali – dhe një lukuni shqiptare e botës digjitale i ka vënë vetes për detyrë t’i gjejë të meta, cene, zbrazëti, ngathtësi e çka jo tjetër. Të verbuar këta njerëz nuk shohin asgjë pozitive. Pothuaj te asnjë kritikë kundër Alketa Vejsiut nuk mund të gjesh diçka serioze e të bazuar.
Pas përpjekjeve të zbehta për kritikë fshihet xhelozia e smira e keqdashësve që një vajzë shqiptare ngjitet në skenën e Sanremos.
Duket sikur janë të mllefosur që nuk e kanë ftuar komplet një lagje të Tiranës në Sanremo. Ose krejt Kurveleshin. Pse vetëm Alketa Vejsiun? Në fushatën kundër Alketa Vejsiut përzihen xhelozia e grave (toksike po aq sa e burrave), por edhe komentet e burrave llafatorë – komente që si kuzhinierë të dobët i kriposin edhe me nëntone seksiste.
Alketa Vejsiu lavdëroi Italinë. Atë Itali që me televizionin e saj RAI ishte një dritare ndaj botës në Shqipërinë komuniste. Si rrallëkush këtë Itali e ka portretuar Stefan Çapaliku në disa faqe të romanit të tij “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”. Një akuzë është se Alketa Vejsiu paska folur në Sanremo për një Itali që nuk ekziston më. Ajo Itali vërtet nuk ekziston, sepse ndërkohë Shqipëria është e lirë dhe RAI e ka humbur funksionin që kishte, por Italia është më shumë se kurrë e pranishme edhe sot në Shqipëri – dhe mirë që është. Me kulturën e saj, me artin e përgatitjes së kafesë, që shqiptarët e shkathtë e kanë përsosur edhe më mirë, me gjuhën (edhe pse të rinjtë flasin gjithnjë e më shumë anglisht), me restorantet me kuzhinë italiane në Tiranë që mund të lënë në hije edhe ndonjë metropol italian, me shkëmbimet kulturore, përkthimet, modën, mediat…
Një urë lidhëse janë padyshim edhe qindra-mijëra shqiptarë që jetojnë në Itali dhe së paku nja 3 mijë italianë rezidentë në Shqipëri. Nëse ka diçka që i entuziazmon italianët më shumë se futbolli, ai është: Festival di Sanremo. Kjo është ngjarje nacionale, për të cilën shkruajnë edhe mediat ndërkombëtare. Edhe në viset shqiptare shkruhet, por pa ndjeshmëri dhe me shumë inat e armiqësi që duket e pashpjegueshme.