Bota Historia e 29-vjeçares që vdiq nga Covid-19 gjashtë ditë pasi lindi fëmijën

Historia e 29-vjeçares që vdiq nga Covid-19 gjashtë ditë pasi lindi fëmijën

Një grua vdiq nga koronavirusi vetëm pak ditë pasi lindi, pa mundur të mbajë kurrë në krah djalin e saj të porsalindur.

Fozia Hanif i filluan simptomat dhe rezultoi pozitive me Covid-19 pak ditë para ditëlindjes së saj të 29-ë. Ajo u detyrua ta lindë para kohe djalin e saj, Ayaan, në fillim të këtij muaji.

Gjashtë ditë pas lindjes, familjes së Hanifit iu përcoll lajmi se ajo nuk mund të kthehej më në jetë.

Punonjësja e shërbimit të provës e pa djalin e saj të porsalindur vetëm përmes një fotografie të mundësuar nga infermierët e spitalit. Për të, ishte një moment “i lumtur”

“Ajo ishte vërtet e lumtur, ajo pa foton e foshnjës që ata (infermierët) e kishin bërë për të,” – tha burri i martuar prej shtatë vitesh me të, Wajid Ali, për ITV News.

“Mbante fotografinë në dorë e më thoshte ‘shiko është foshnja jonë’  ‘ne do të kthehemi në shtëpi së shpejti’… Kjo ishte hera e fundit që fola me të”.

“Ajo na dërgonte mesazhe duke na thënë ‘oh nuk e kam parë ende foshnjën’ dhe unë i thoja ‘mos u shqetëso për këtë, kur të vish në shtëpi do të kthehesh bashkë me të, dhe ne të gjithë do ta shohim  bashkë”, tha motra e saj, Sophie Hanif.

Fillimisht Hanifi, e cila e lindi djalin e saj më 2 prill, tregoi disa shenja përmirësimi ndaj virusit duke e transferuar atë në një tjetër repart. Por, gjendja e saj u përkeqësua shpejt dhe ajo u transferua në terapi intensive

Hanif ishte në spital për një kontroll rutine të shtatzanisë, kur ajo kuptoi se kishte temperaturë jo shumë të lartë. Megjithatë, stafi i spitalit vendosi t’i bëjë disa teste. Më vonë, atë e lanë të dalë, kur  festoi edhe ditëlindjen e saj të fundit me familjen.

Ndërsa qëndronte në shtëpi, gjendja e saj filloi të përkeqësohej, duke e dërguar sërish në spital.

Bashkëshorti i saj tha: “Ata thanë se ne do ta mbajmë këtu për të kuptuar se çfarë ka, si dhe do t’i bëjmë testin e  Covid-19. Ajo qëndroi aty për dy ditë. Testi rezultoi pozitiv. Të nesërmen na thanë se rasti ishte i lehtë dhe se ju mund të shkoni në shtëpi. Por, pas katër ditësh qëndrimi në shtëpi, ajo pati vështirësi në frymëmarrje dhe ne thirrëm ambulancën”.

Më pas, familja u informua se ajo kishte pësuar mpiksje gjaku duke rënë në gjendje kome. Burrit dhe babait të saj, Nabil, iu lejua ta vizitojnë veshur me pajisje mbrojtëse.

“Kur po shkonim në spital dhe na thanë se do të fiknin aparaturën, unë thashë jo mos i fikni derisa të arrijmë, ajo është një luftëtare, ajo nuk tërhiqet – por kur u futëm atje, ne thjesht mundëm të luteshim“.

Hanifi vdiq në 8 Prill, gjashtë ditë pasi djali i saj Ayaan lindi vetëm 31 javësh me operacion. Djali i saj, Ayaan rezulton negativ nga Covid-19, dhe është ende në spital.

Motra e saj shtoi: “Ajo nuk kishte kohë fare”.

“Ajo po pyeste për foshnjën, po pyeste për familjen dhe më pas krejt papritur … Ishte tronditëse për të gjithë ne”. /The Guardian