Bota Hakeri i famshëm i “futbollit” bashkëpunon me drejtësinë, tani dikush po dridhet

Hakeri i famshëm i “futbollit” bashkëpunon me drejtësinë, tani dikush po dridhet

Rui Pinto, 31 vjeç, me origjinë nga Vila Nova de Gaia, nuk është një qendërsulmues race, por hakeri portugez që në 2015-ën publikoi dokumentet e “Football Leaks” në gazetën gjermane “Der Spiegel”, duke zbuluar intrigat dhe parregullsitë nga klube të ndryshme futbolli në botë. Portugezi tani është në arrest shtëpie. Skualifikimi europian i Mançester Sitit e ka origjinën nga zbulimet e tij, që kanë futur në telashe edhe gruan më të pasur të Afrikës.

Një pjesë e mirë e punës së Rui Pinto është përdorur në hetimet me thyerjen e rregullave të “fair play”-it financiar që çuan UEFA-n më 14 shkurt të këtij viti në skualifikimin për dy sezone të Mançester Sitit nga Kupat e Europës. Rui Pinto u arrestua në janar të 2019-ës në Hungari me akuzën se kishte shantazhuar fondin “Doyen Sport” duke i kërkuar deri në 1 milion euro për të ndërprerë publikimin e dokumenteve që kishte marrë në mënyrë ilegale. Dy muaj më pas ai u ekstradua nga qeveria e Budapestit dhe iu dorëzua autoriteteve portugeze.

Pas një viti burg, Rui Pinto është transferuar në një apartament të policisë gjyqësore të Lisbonës për ta vazhduar dënimin në arrest shtëpie. I është ndaluar përdorimi i internetit, por kjo kthesë tregon konfirmon se diçka ka ndryshuar, siç ka treguar edhe një nga avokatët e tij, Uilliam Bourdon, i cili tha: “Ka shumë shpresë që Rui Pinto ta vazhdojë procesin në gjendje të lirë”.

Ka një emër në këtë lëvizje të papritur: Isabel dos Santos, vajza e ish-presidentit të Angolës, gruaja më e pasur në Afrikë. Pinto është burimi i “Luanda Leaks”, që janarin e kaluar kanë zbuluar mekanizmat e perandorisë financiare të Dos Santos, aktualisht nën akuzë për përfitim të paligjshëm, riciklim parash dhe falsifikim dokumentesh. Për këtë histori është folur pak, por ka pasur jehonë në Portugali. Angola më parë ka qenë koloni e Portugalisë, është një vend i pasur me naftë, ar dhe diamante dhe në vitin 1975 fitoi pavarësinë, për të përfunduar pastaj në një luftë të gjatë civile, që përfundoi në vitin 2002.

Isabel është vajza e ish-presidentit Jose Eduardo dos Santos, në detyrë nga viti 1979 deri në 2017-ën. Ai i besoi vajzës administrimin e një trashëgimie të jashtëzakonshme financiare, të krijuar sipas “Luanda Leaks”, falë fuqisë dhe korrupsionit. Isabel, e lindur në Baku në 1973-shin, 47 vjeç, vajzë e martesës së parë të Jose Eduardo dos Santos, sipas revistës “Forbes”, ka një pasuri prej më shumë se 2 miliardë dollarësh. Më 19 janar, këshilli ndërkombëtar i gazetarëve investigativë ka publikuar një raport të detajuar mbi mekanizmat që kanë çuar në akumulimin e pasurisë së saj, duke përfituar nga burime të rëndësishme të popullit të Angolës. Tri ditë më pas, më 22 janar, administratori i trashëgimisë, Nuno Ribeiro da Cunha, u gjet i vdekur në garazhin e shtëpisë së tij.

Një histori spiunësh që ka tronditur Portugalinë, ku Rui Pinto, me punën e tij, ka qenë përcaktues. Ky fakt shpjegon edhe lehtësimin e dënimit. Rui Pinto, tifoz i Portos dhe fans i Kristiano Ronaldos, është një autodidakt i informatikës. Në moshën 23-vjeçare arriti të përfitonte 300 mijë euro nga një bankë e Ishujve Cayman. Ai gjithmonë ka mohuar se e ka bërë një vepër të tillë, por ka pranuar se disponon të dhëna që tregojnë se si Ishujt Cayman janë përdorur gjerësisht për evazion fiskal dhe për riciklim parash. Nga haker i rrezikshëm dhe i paragjykuar, në bashkëpunëtor të drejtësisë: ky mund të jetë rrugëtimi që do të evitojë burgun e portugezit dhe që ka sjellë një kthesë të fortë në hetime. Tani dikush duhet të dridhet…