Histori Historiani Ferit Duka: Perandoria osmane i preu vrullin asimilimit të shqiptarëve, por...

Historiani Ferit Duka: Perandoria osmane i preu vrullin asimilimit të shqiptarëve, por nuk duhet idealizuar

Historiani Ferit Duka ishte i ftuar në emisionin “Ku Gabuam” në Euronews Albania, ku foli për nevojën e rishkrimit të historisë dhe rishikimit të figurave historike të perandorisë osmane që nuk kanë gjetur vlerësimin e duhur ose janë tjetërsuar.

Duka vlerësoi se nisur nga fakti që historia si shkencë bazohet në njohje dhe nga filozofia dihet që procesi i njohjes s’ka fund, shkrimi dhe rishkrimi i historisë nga pikëpamja filozofike është një kërkesë normale.

Lidhur me historinë e periudhës osmane, njohës shumë i mirë i të cilës është, z. Duka u shpreh se kësaj periudhe e cila sipas tij nuk duhet të quhet pushtim, por sundim, madje edhe bashkëjetesë i duhen njohur të dyja anët e medaljes.

Për historianin e njohur është i gabuar idealizimi i kësaj periudhe por nga ana tjetër i duhen njohur edhe meritat ku përkundër arritjeve shumë të mëdha personale të personaliteteve të njohura shqiptare në rangjet më të larta të perandorisë osmane, nuk mund të mohohet kontributi i saj në ndalimin e asimilimit të elementit shqiptar nga fqinjët dhe zhvillimi ekonomik në shumë qytete të Shqipërisë.

“Gabimet e së shkuarës duhet t’i shohim si të metat tona dhe nuk duhet ta kërkomë gjithmonë fajin në të shkuarën e largët. Sigurisht që nuk duhet idealizuar periudha osmane, por shqiptarët kanë pasur arritje. Berati ka pasur fillimisht 175 shtëpi, por Berati i shekullit të 16 ka 1200 shtëpi, i cili në këtë periudhë ka shumë degë zejtarie.

Prizreni ka qenë qendra më e rëndësishme me zejtari të zhvilluar, qendër kulturore, Shkodra, Elbasani gjithashtu njohën zhvillim. Perandoria osmane bëri diçka, sidomos në brezin periferik; nuk lejoi që asimilimi nga fqinjët të ndodhte, e preu vrullin e asimilimit të elementit shqiptar”, shpjegoi z. Duka.