Çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?
Në një fjalim në Kuvend, kryeministri Rama tha se debati për zgjerimin ose jo të BE-së në politikën e Holandës po bëhet vetëm në kuadër të elektoratit vendas.
“Besoj se duke ndjekur debatin në Parlamentin holandez, kushdo që dëshiron të kuptojë, ka mundur të kuptojë se të gjitha fjalimet e bëra në Parlament i janë drejtuar elektoratit të atij vendi dhe se në të gjithë qasjen e Parlamentit, apo të partive të ndryshme brenda Parlamentit është përvijuar i gjithë debati i brendshëm me forcat pro zgjerimit, me forcat kundër zgjerimit, me zërat që fuqizojnë mesazhin e nevojës për të vazhduar procesin e zgjerimit dhe zërat që fuqizojnë mesazhin e nevojës për ta ndaluar procesin e zgjerimit”, u shpreh Rama.
Një ditë përpara këtij qëndrimi, ministri i jashtëm i Holandës Stef Blok ishte thirrur në seancë dëgjimore para Komisionit të Çështjeve Europiane të parlamentit holandez mbi qëndrimin e MPJ për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.
Qëndrimi që i ishte përcjellë parlamentit përmes këtij dokumenti, në të cilin konkludohej se “Shqipëria duhet të bëjë më shumë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Kabineti qeveritar mendonte se është e parakohshme hapja e negociatave tani. Në dokument pasqyrohej edhe qëndrimi gjerman me kushtet e Bundestagut por pa një vlerësim konkret ndaj tij.
Politika në ABC News ka mësuar se partitë e ekstremit te majtë, ato të ekstremit të djathtë, si dhe partia e koalicionit qeverisës CDA janë shprehur qartësisht kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë.
Të vetmit që u shprehën pro gjatë asaj seance në komision ishin Social demokratët dhe Të gjelbrit e majtë.
Këta të fundit sugjeruan që Holanda të bashkohej me qëndrimin gjerman me kushte. Dy ishin pyetjet kryesore që iu drejtuan ministrit Blok: 1) A qëndron aleanca e vendeve të BE kundër Shqipërisë, si në 2018? 2) A do pajtohet JO, me kusht e Holandës, me PO, POR… të Gjermanisë?
Politika në ABC News ka mësuar gjithashtu se së pari ministri Blok ka thënë se i qëndron mocionit të miratuar në dhomën e ulët në qershor kundër çeljes së negociatave me Shqipërinë.
Për pyetjen e parë, ai ka pranuar se nuk është i sigurt nëse një aleancë kundër çeljes së negociatave, si në vitin 2018 mes Francës dhe Danimarkës qëndron akoma.
Por ka lënë të hapur pozicionin e qeverisë holandeze për pyetjen e dytë, pra njësimin me pozicionin e Bundestag-ut gjerman për Shqipërinë, duke thënë se këtë do ta diskutojë edhe me vendet e tjera anëtare.
Politika në ABC news ka mësuar edhe se edhe dhoma e përfaqësuesve të Parlament ka kërkuar interpelancë me kryeministrin Rutte për qëndrimet e Holandës.
Interpelanca do mbahet të martën e 15 tetorit, pas mbledhjes së ministrave të jashtëm të BE në Luksenburg, ku Holanda do përfaqësohet vetëm me ambasadorin, pasi ministri i jashtëm do jetë në vizitë në Indi.
Nëse do ketë një vendim nga mbledhja e ministrave të jashtëm, Rutte do sqarojë qëndrimin e Holandës aty, e nëse jo, atëherë kryeministri do të japë llogari në seancë plenare për qëndrimin që do mbajë në Samitin e Këshillit Europian si për Shqipërinë ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut.
Politika në ABC News ka mësuar se ka një lëkundje të qëndrimit të Holandës, jo për të ndryshuar pozicionin ndaj Shqipërisë, por për të mos e bllokuar Shqipërinë nëse Holanda mbetet e vetme në kundërshtinë e saj për hapjen e negociatave./Politika në ABC News/