Bota Hungaria flirton me Rusinë, Orban: Nuk heqim dorë nga bashkëpunimi me Putin

Hungaria flirton me Rusinë, Orban: Nuk heqim dorë nga bashkëpunimi me Putin

Prej kohësh, Rusia dhe Hungaria kanë shumë gjëra për t’i thënë njëra-tjetrës. Ndajnë interesa të mëdha ekonomike dhe tregtare, si për programin bërthamor civil ashtu dhe çështje të tjera infrastrukturore.

Por kryeministri euroskeptik hungarez Viktor Orban, dëshiron të shndërrojë vendin e tij në një fuqi rajonale, e për këtë ka nevojë për mbështetjen e Rusisë, duke mbetur njëkohësisht besnik i Perëndimit. Mesazhin e përcolli qartë pas takimit me presidentin rus Vladimir Putin në Hungari.

“Natyrisht që Hungaria mbetet në NATO dhe në Bashkimin Europian. Por kjo nuk nënkupton se duhet të heqim dorë nga një lloj bashkëpunimi politik më Rusinë, tani e ne të ardhmen”, deklaroi Orban.

Budapesti synon të marrë rolin e ndërmjetësuesit në Këshillin Europian, me shpresën se përshembull, do të arrijë të heqë sanksionet e vendosura ndaj Rusisë për Krimenë.

Putin i përmbajtur

Putin u tregua i përmbajtur në deklaratat e tij. “Folëm për çështje ndërkombëtare dhe rajonale, e gjithashtu se si të normalizojmë marrëdhëniet mes Rusisë dhe Bashkimit Europian. Folëm edhe për një zgjidhje të mundshme të konfliktit në Ukrainë”.

Hera e fundit që presidenti rus ka vizituar Budapestin ishte në 2017-ën. Pas mbështetjes që numri një i Kremlinit i ofroi separatistëve në Krime dhe aneksimit të rajonit në 2014-ën, takimet e rregullta të Putin me krerët europian u rralluan ndjeshëm, përveçse me kryeministrin hungarez. Opozitarët e akuzojnë Orban se po destabilizon Unionin.

Politika reale e një vendi të vogël

Shtrohet pyetja: Pse Putini dhe Orbani takohen në vit 1-2 herë të paktën? Ndërkohë që Orban shkon për vizita në vendet perëndimore shumë më rrallë. Prej vitit 2010 kancelarja gjermane Angela Merkel ka qenë në Hungari vetëm dy herë. Një nga përgjigjet e mundshme është se ata shihen shpesh në Bruksel. Por përgjigja më racionale është, se Orbani është i bindur se një vend i vogël duhet të përpiqet t’i realizojë interesat e veta. Me SHBA-në ka bashkëpunim në çështjet si Iraku apo Afganistani. Me Gjermaninë ka bashkëpunim ekonomik në industri apo prodhimin e automjeteve. E me Rusinë po bën pakt për gaz. Ndërsa Putini mund të tregojë në Budapest se ai ka partnerë edhe brenda BE-së.