Nga sot të rriturit mund konsumojnë deri 25 gramë kanabis në mjedise publike. Pas hyrjes në fuqi të legalizimit të kanabisit për të rriturit policia gjermane do të intensifikojë kontrollet rrugore.
Në Gjermani fillon sot një epokë e re në politikën ndaj drogave. Sipas ligjit të ri personave nga mosha 18-vjeçare i lejohet në kushte të caktuara të posedojnë sasi të caktuara kanabisi dhe ta kultivojnë dhe konsumojnë atë privatisht.
Të rriturit e moshës 18 vjeç e lart lejohen të posedojnë 25 gramë në ambiente publike. Brenda banesës lejohen deri në 50 gram të kultivuara privatisht. Privatisht lejohet kultivimi i deri në tre bimësh kanabisi. Duke filluar nga 1 korriku 2024 lejohet edhe krijimi i klubeve të kanabisit për ta kultivar atë kolektivisht.
Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, kanabis hiqet nga lista e substancave të ndaluara në Ligjin për Lëndët Narkotike, por shitja dhe shpërndarja e kanabisit vazhdojnë të jenë të ndaluara nga ligji.
Kontrolle të rrepta policore
Përfaqësues të policisë presin që legalizimi i pjesshëm i kanabisit më 1 prill do të rrisë ngarkesën e punonjësve të policisë. Disa nga landet federale do të kryejnë më shumë kontrolle. Policia e landit Saksoni-Anhalt, për shembull, njoftoi se donte të shtojë kontrollet në qarkullimin rrugor për të parë nëse drejtuesit e automjeteve janë nën ndikimin e kanabisit. Sipas Ministrisë së Brendshme të këtij land kjo synon të zvogëlojë sa më shumë rrezikun e aksidenteve në trafikun rrugor.
Policitë e landeve të tjera synojnë t’i zgjerojnë gradualisht kontrollet e trafikut të lidhur me përdorimin e kanabisit nga drejtuesit e automjeteve. Po ashtu do të shtohen edhe përpjekjet për identifikimin e tregtarëve të kanabisit për të mbrojtur sidomos fëmijët, të rinjtë dhe adoleshentët.