Sport Hysaj: Mendova se mund të shënoja. Insinje: Kishte rëndësi të fitonim

Hysaj: Mendova se mund të shënoja. Insinje: Kishte rëndësi të fitonim

Elseid Hysaj ndjen keqardhje që loja shkoi në këtë mënyrë, pasi sipas tij, Shqipëria meritonte pikë ndaj Italisë. “Besoj se meritonim më shumë, kemi luajtur mirë për 90 minuta. Krijuam raste, por ky është futbolli.

”E pësuam në momentin tonë më të mirë. Kjo është keqardhja e vetme. Duhet të rrisim nivelin, po luajmë mirë, por prapë pësojmë gola dhe humbim. Insinje? Më mirë ta kem si shok skuadre se sa si kundërshtar. Këtë sezon është në një formë shumë të mirë”, – theksoi Hysaj për “Supersport”.

I pyetur për rastin e humbur dhe pozicionin e Roshit, Hysaj tha: “Rasti i humbur? Më erdhi në kokë të gjuaja, e pashë Ahmedin, por mendova isha në pozicion më të mirë. Mendoja se mund të shënoja, nuk pasova dhe gjuajta. Roshi? Ishte zgjedhja e trajnerit që Roshi të rrinte më sipër, në mënyrë që të linte të lirë Spinacolën.”

Në një intervistë pas ndeshjes, mesfushori Lorenco Insinje foli edhe për shokun e tij të skuadrës, Elseid Hysajn, si dhe për rëndësinë që ndeshja kishte për italianët.

“Hysajn u përpoqa ta vë në vështirësi. E rëndësishme ishte të arrinim fitoren, dhe ia dolëm. Ndryshuam fanellën bashkë. Elseidi bëri një lojë shumë të mirë. I thashë se do të shihemi të mërkurën në Napoli”, tha Insinje.