Kryesore I besuari i pestë i Ramës, Taulant Balla betohet në Presidencë si...

I besuari i pestë i Ramës, Taulant Balla betohet në Presidencë si ministër i Brendshëm

Taulant Balla është betuar ditën e sotme në Presidencë si ministër i Brendshëm.

Balla do të jetë në krye të kësaj ministrie, pas shkarkimit të Bledi Çuçit një javë më parë. Në të njëjtën ditë, kryeministri Edi Rama mori vendimin për t’ia besuar Taulant Ballës këtë ministri.

Taulant Balla është i pesti në radhë, i cili do të mbajë postin e Ministrit të Brendshëm në qeverinë e Edi Ramës që prej 2013. Mandatin e parë Kryeministri zgjodhi t’ia jepte Sajmir Tahirin, i cili qëndroi aty deri në 2017, por akuzat e drejtësisë për përfshirje në grupe kriminale të trafikimit të drogës, e çuan në dorëheqje dhe më pas arrestimin dhe dënimin e tij.

Pas Tahirit, postin do ta merrte Fatmir Xhafaj, i cili sërish u dorëhoq pas akuzave nga opozita për përfshirjen e vëllait të tij në aktivitete të paligjshme.

Vendit e tij do ta zinte Sandër Lleshi. Por edhe ish-Këshilltari i Ramës qëndroi vetëm 2 vite në këtë detyrë, me kryeministrin që e largoi atë pas presionit të protestave për vrasjen e të riut Klodian Rasha nga policia.

Bledi Çuçi ishte zgjidhja e radhës e Ramës, por qe nuk zgjati me shumë se dy vjet dhe tashmë është taulant Balla i besuari i radhës i kryeministrit në Ministrinë e Brendshme.