Politika I doli emri në dosjen “Ahmetaj”, Gjiknuri: Mos bëni hetim penal sikur...

I doli emri në dosjen “Ahmetaj”, Gjiknuri: Mos bëni hetim penal sikur po gjeni pacientin zero

Pas publikimit të emrit të tij si i përfshirë në dosjen “Ahmetaj”, ka reaguar edhe vetë Damian Gjiknurin, ish-ministër i Energjisë dhe aktualisht Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste.

Në një prononcim për mediat jashtë sallës së Parlamentit, ku po mbahet seanca e radhës plenare, Gjiknuri tha se, për të gjitha udhëtimet për të cilët përmendet, kanë qenë për arsye pune dhe zyrtare.

Ai garantoi se nga ana e tij nuk ka pasur asnjë lloj shkeljeje detyre apo ligji, ndërsa u bëri një thirrje mediave që të mos bëjnë hetim penal apo akuza, sikur të ishin duke gjetur pacientin zero.

“Janë udhëtime zyrtare dhe nuk kam ikur për qejf. Roli im si ministër nuk ka asnjë lloj shkeljeje përsa i përket detyrës. Mos e bëni hetimin penal apo akuzat sikur po gjeni pacientin zero, bëhet fjalë për akte zyrtare. Me Ahmetajn kamë bërë udhëtime sepse kam qenë ministër. Kanë qenë udhëtime zyrtare, pune. Unë thjesht kam bërë detyrën dhe nuk kam shkelur ligjin”, u shpreh ndër të tjera në prononcimin e tij Damian Gjiknuri.