Aktualitet Identifikohet 42-vjeçari shqiptar që u ekzekutua në Spanjë

Identifikohet 42-vjeçari shqiptar që u ekzekutua në Spanjë

Pamje nga vendngjarja

Identifikohet shqiptari i vrarë në Spanjë dy ditë më parë.

Bëhet fjalë për Brandon Bregun. 42-vjeçari ishte nga Lushnja. Ky lajm është konfirmuar dhe nga Policia shqiptare.

Krimi ndodhi në një restorant në qytetin turistik Alfaz del Pi të Spanjës, ku ka mbetur i vrarë me armë zjarri një shtetas shqiptar.

Siç raportuan dhe mediat spanjolle, një person i armatosur dhe i mbuluar me kapuç “mësyu” në ambientet e restorantit të quajtur “The Orange Tree”, dhe qëlloi ndaj shqiptarit në sy të bashkëshortes së tij.

Autori qëlloi disa herë me armë zjarri në drejtim të 42-vjeçarit dhe u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes. Ka dyshime se ngjarja të ketë ndodhur për prishje të pazareve të drogës.

Sipas mediave, 42-vjeçari shqiptar ka precedentë të mëparshëm penalë. Ai jetonte prej disa vitesh në një provincë të Alicante-s. Paraprakisht policia dyshon që ngjarja të ketë ndodhur për larjen e hesapeve mes grupeve të ndryshme kriminale.

Mediat shkruajnë se kjo ngjarje e rëndë ka ndodhur disa ditë pasi disa anëtarë të dyshuar të mafias ruse u arrestuan për pastrim parash. Një prej tyre është edhe ish-këshilltari i Alteas, Jaime Selles.

Gjatë 18 bastisjeve dhe kontrolleve në Alicante, Madrid, Tarragona e Ibiza policët sekuestruan armë zjarri, 300 mijë euro të thata, diamantë dhe valutë parash online.