Aktualitet Iku në amëshim patrioti, shkrimtari dhe vatrani Andon Rrumbullaku

Iku në amëshim patrioti, shkrimtari dhe vatrani Andon Rrumbullaku

Esse-Profil

Nga Raimonda Moisiu

U përcoll dje për në banesën e fundit, shkrimtari, publicisti dhe vatrani veteran ndër breza, Andon Rrumbullaku. Ai u shua në moshën 92-vjeçare pranë familjes, në Kryeqytetin e Kënektikatit, Hartford, USA.

Për dekada me radhë ka qenë një ndër figurat më të rëndësishme, shqiptari i respektuar dhe i nderuar, vatran dhe patriot i devotshëm, baba dhe bashkëshort shembullor në komunitetin shqiptaro-amerikan dhe mes bashkëkombasve të tij “hartfordas” . Vec kësaj, Andon Rrumbullaku është mjaft i njohur për ndjenjat e tij atdhetare e patriotike, të cilën e dëshmojnë më së miri edhe librat e shkruar prej tij.

Shkrimtari, Publicisti dhe Vatrani Andon Rrumbullaku është pinjolli pasardhës i vatranit të vjetër, Sekretar i Degës “Vjosa” të FEDARATËS PAN SHQIPTARE VATRA, atdhetarit e patriotit, Lliko Rrumbullaku. Me ardhjen e demokracisë në Shqipëri, Andoni emigron në SHBA-ës me familjen e tij, në sajë të shtetësisë amerikane që gëzoi nga i ati. Me një bagazh të pasur e të admirueshëm intelektual, qytetar dhe i arsimuar, ai hedh në letër gjithë veprimtarinë e VATRËS me fakte e foto, të trashëguar nga babai i tij. Mbas më shumë se një dekadë ai u bë autor i dhjetë librave të titulluar respektivisht; “Flamur për Shqipëri”, “Për Atdheun jetën dhanë”, “Për fshatin e braktisur, malli më ka marrë”, “ Maleshova & Dëshnica, -vargje me motive popullore”, “Këmbanorja na dëshmon”, “Pasha Rrumbullaku dhe Kapedanët e Maleshovës”, Fan s.Noli dhe fanolistës”, “Emigrojnë maleshovitët”, ”Maleshova midis maleve” dhe “Ekspozitë Fotografike –Federata Vatra 13 Qershor 1912”. Të gjithë librat janë vlerësuar si një kontribut i çmuar në ruajtjen e pasurimin e trashëgimisë kulturore shqiptare në Amerikë, të lëna si amanet nga Noli ynë i Madh, Faik Konitza dhe vatranët e hershëm. Kontributi i vyer i vatranit dhe shkrimtarit përmetar Andon Rrumbullaku, janë historia e gjallë e Vatra-ës, që energjinë e potencialet e tij morale, intelektuale, njerëzore, të dijes e të penës, ia doli të dialogonte mes vetit dhe brezave, për ç’ka i bashkonte dhe i bashkon, elemente të kujtesës dhe reflektimit, për të mbajtur gjallë frymën e atdhedashurisë, patriotizmit, historisë, traditës e zakonet e jetesës, në të përditshmen njerëzore. Shkrimtari përmetar Andon Rrumbullaku në librin e tij, me titull tejet domethënës e simbolik -“Mbaj me nder emrin shqiptar”, me ndjenjën e lartë patriotike e të atdhedashurisë, ka rrëfyer historikun e mërgatës së Hartford-it, nën efektin e karizmës dhe aureolës të rrënjëve historike dhe kulturës shqiptaro-amerikane në këtë komunitet, duke pohuar të kaluarën e pararendësve të tyre. Libri mbart në vetvete nderimin dhe respektin e kockës së erudicionit intelektual, patriotik e atdhetar, dëshmi këto të njerëzores e shpirtërores, emocionuese e edukative, libër që dëshmon se,- vetë koha e liria që ata gëzonin ka ekzistuar dhe ekziston,- strukturën e memorialit të krenarisë, gjuhës, idealeve dhe virtyteve të kombit tonë, Andon Rrumbullaku në librat e tij, shpreh forcën e shpirtit patriotik e të dijes në bazë të materialeve që ai trashëgoi nga babai i tij , vatrani historik Lliko Rrumbullaku, i cili emigroi për 30 vjet në Amerikë dhe u shqua si atdhetar e patriot, punëtor e i guximshëm, dëshmoi kulturë e edukatë të lartë, fisnik, anëtar i Shoqatës Vatra me një kontribut të vlerësuar për Shqipërinë e shqiptarët. Në ato libra ai ka shkruar plot me emocion e mirënjohje, në respekt për Rilindasit, për Frashërllinjtë, për Sejfulla Maleshovën, për vatranët maleshovitë e dëshnicarë, përmetarë e kolonjarë, jugorë e veriorë, për Fan Nolin e Fanolistët, për Konitzën e Kristo Floqin, për VATRËN –këtë çerdhe patriotësh, për VATRANËT e AMERIKËS, për luftën e tyre me pushkë e penë, për shumë patriotë e atdhetarë të njohur në Amerikë që gjetën mbështetje dhe zhvilluan veprimtarinë e tyre patriotike me mendje, penë e materialisht, për kontributin e tyre të madh për tokën mëmë, për vlerat e larta të identitetit kombëtar. Sepsë është fakt i pamohueshëm që shqiptarët janë të pasur nga ndjenjat patriotike dhe këtë shkrimtari publicisti, dhe vatrani Rrumbullaku është munduar ta reflektojë e pasurojë në librat e tij që tashmë gjenden ngado. Ai ka shkruar edhe për emigrantët e thjeshtë e të rinj, për vatranët e rinj, që me vullnet, guxim e dashuri punojnë e jetojnë, për integrimin e tyre, të vlerave kombëtare e historike ashtu si kanë bërë vatranët e vjetër me Nolin e Konitzën. Është për të vlerësuar guximi dhe përkushtimi i z. Rrumbullaku, që pavarësisht moshës, ai kurrë nuk u ndal dhe nuk u dorëzua, por vazhdonte të hidhte në letër vlerat e virytet kombëtare të shqiptarit, dëshmonte përpjekjet, sfidat dhe kontributin e mërgimtarëve të vjetër e të rinj të Hartford-it, aty ku ndërthuren dhe integrohen kulturat, dashuria për atdheun e munguar, puna e sakrificat e tyre, për të ruajtur dhe trashëguar, gjuhën, traditën dhe vlerat kombëtare. Autori Rrumbullaku dëshmonte e pohonte rolin pro-aktiv në shoqërinë amerikane, duke përcjellë kështu mesazhin e dashurisë e vëllazërisë, jo vetëm në mbarë komunitetin shqiptaro-amerikan, por edhe në marrëdhëniet me kulturat e tjera.

E ndjejmë se Degës Vatra në Hartford dhe Federatës Pan Shqiptare Vatra iu shkëput edhe një patriot besnik e i devotshëm, Shkrimtari, publicisti dhe Vatrani Andon Rrumbullaku, një nga mbështetësit e kauzës së shenjtë të integritetit dhe identitetit tonë shqiptar në këtë tokë të mundësisë e multikulturore, krahas kulturave të tjera, respektues të ligjeve dhe zakoneve ku ai jetoi, punoi dhe kontrioui me penë e krahë të shëndoshë për çështjen tonë kombëtare.

Trashëgimia e dhe kontributi i tij janë mbresëlënës, krahas dritës së mesazhit që shkrimtari, publicisti dhe vatrani, përmetari fisnik Andon Rrumbullaku la për brezat e vatranëvë të djeshëm e të sotëm;

“Fedarata Pan Shqiptare VATRA u themelua në një kohë me Pavarësinë e Shqipërisë, duke u shëndrruar kështu në një autoritet të fuqishëm e të cmuar kombëtar e ndërkombëtar, me propagandë dhe ndihma pakursim, edhe vullnetarë në mbrojtje të një Shqipërie të lirë, të pavarur dhe për ta bërë të denjë midis shteteve të Europës. VATRA & VATRANËT e sotëm, duhet të ecin në gjurmët e të parëve, duke i mbajtur të bashkuar shqiptarët e të gjitha viseve shqiptare rreth saj, padallim feje e ideje ashtu si e themeluan dhe na i lanë trashëgim patriotët shqiptarë me në krye Fan Nolin dhe Konitzën, Ta ruajmë VATRËN, -këtë cerdhe patriotësh e atdhetarësh! Këtë t’ua lëmë amanet edhe brezave në Amerikë, për ruajtjen e vlerave e identitetit kombëtar në atdheun tonë të dytë Amerikën dhe për një Shqipëri, xhevahir në zemër të Ballkanit!

Prehu në PAQE, mik, patriot, koleg, atdhetar Vatran i fismë dhe i Devotshëm!

Të qoftë dheu i lehtë!

I përjetshëm kujtimi e vepra e tij!

Raimonda MOISIU

Author/Freelancer

Florida, USA