Politika ILD: 900 ankesa për gjyqtarët dhe prokurorët

ILD: 900 ankesa për gjyqtarët dhe prokurorët

Që prej 1 Shkurtit, pas zgjedhjes edhe të drejtuesit të saj nga ana e Kuvendit, ka nisur punë Inspektorati i Lartë i Drejtësisë. Artur Metani, kreu i ILD-së deklaroi sot gjatë një konference për shtyp se institucioni i ri nuk ka trashëguar personel pasi ngrihet për herë të parë.

Prandaj, përveç hapjes së faqes zyrtare të ILD-së, Metani deklaroi se sot hapen edhe 27 vende vakant. Ndër të tjera, ai theksoi se ILD-në e pret një volum i lartë pune pasi që prej 2017-s e deri më tani janë regjistruar 900 ankesa për gjyqtarët dhe prokurorët.

“Sot kemi një institucion të ri. Ai nuk ka trashëguar as personel, as rregullime ligjore dhe as funksione të tjera. Kam dalë në komunikim për mediat të ndaj me ju punët e para që ky institucion ka bërë pas zgjedhjes dhe betimit në krye të ILD-së. Sot do çojmë në çeljen e hapjes së faqes zyrtare të ILD-së ku do të shpallen vendet vakante që ILD po hap sot. Janë rreth 27 vende vakante. Janë rreth 6 inspektorë jo magjistratë dhe 5 ndihmës inspektorë me kriteret përkatës. Na pret një volum dhe problematikë e lartë punë. ILD-së do t’i kalojnë një volum i lartë ankesash Rreth 900, të cilat janë dorëzuar gjatë periudhës tranzitore 2017-2020 KLGJ-së ose KLP-së”, tha Metani.

Zgjedhja e Metanit është kundërshtuar nga opozita. Sipas saj, emërimi i tij është politik pasi ai është vëllai i deputetes socialiste Eglantina Gjermeni. Metani iu përgjigj pyetjes së gazetarëve rreth kësaj çështje ku tha se “Koha është tregues më i mirë për gjithçka dhe treguesi më i mirë për ne”.