Kryesore Inceneratorët, Kryemadhi: Koka hallka e fundit, është pastrim parash i një grupi...

Inceneratorët, Kryemadhi: Koka hallka e fundit, është pastrim parash i një grupi të strukturuar

LSI dhe liderja e saj Monika Kryemadhi kanë qenë aktiv në denoncimin e skandalit të inceneratorëve, ndërkohë që një ish-eksponent i rëndësishëm i kësaj partie, Lefter Koka, rezulton i përfshirë në mënyrë direkte.

Sipas saj, e intervistuar nga Alba Alishani në “Debat” në A2 CNN, fokusi nuk mund të jetë Koka. “Nuk duhet të kapemi pas emrave, por pas fenomenit. Katarsisi është fenomen i domosdoshëm, edhe në partitë politike. Skema e inceneratorëve, jo vetëm është korruptive, por kalon edhe çështjen shqiptare, sepse ndjekja e parave shkon jashtë kufijve. Ish-përfaqësuesi i LSI është hallka e fundit i këtij zinxhiri korruptues, kriminal, sepse në këndvështrimin tonë kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal, sepse vetë funksionimi i shtetit shqiptar, me vendime të marra brenda një dite, dhe devijimin e koncesioneve, gjithçka ishte në funksion të një skeme shumë të madhe. Shqipëria noton në korrupsion, por skema e inceneratoreve shkon përtej”.

Po si erdhën informacionet e parregullsive tek LSI?

“Ka njerëz që e ndjejnë se e kanë detyrim ta bëjnë këtë denoncim, kanë tentuar në institucione politike të tjera, por duhet guxim. Janë persona në dijeni që e kanë dërguar në emailin tim zyrtar, me mijëra faqe. Janë jashtë çdo institucioni shqiptar. Problemi qëndron tek fakti që asnjë nuk e merrte përsipër këtë, sepse goditja ishte fatale”, shton Kryemadhi.

Sipas saj, kjo është një provë e madhe për SPAK. “SPAK është në provë për të parë sa seriozisht e ka marrë këtë skemë e denoncuar nga LSI për Fierin, Elbasan dhe Tiranën, ky i fundit përben kupolën e skemës, sepse nëpërmjet tij janë lëvruar paratë me të cilën janë paguar nënkontraktohet e kompanive të tjera fiktive”.

Sipas saj, skema korruptive shkon nga kryeministri dhe përfundon tek nëpunësi më i thjeshtë në komisionin e ofertave, ku përtej korrupsionit sipas saj kemi të bëjmë edhe me pastrim parash. “Çështja nuk ka të bëj vetëm me garën sesi u blenë makineritë, por me shkelje ligjore të hapura që dëshmon ekzistencën e një grupi kriminal, që dërgoi 430 milionë euro në shoqëri off shorë në Holandë, që pastaj investohen këtu në ndërtime e të tjera, pa patur dijeni për origjinën”.

Rrjedhja e të dhënave, Kryemadhi: Ndodhi për hequr vëmendjen ndaj inceneratorëve

Monika Kryemadhi ka një tezë interesante edhe për skandalin e fundit, atë të rrjedhjes së të dhënave të rrogave të mbi 630 mijë shqiptarëve, si dhe të targave disa ditë më vonë.

“Edhe rrjedhja e informacionit të pagave, ku bëjnë përshtypje disa paga marramendëse, ia kanë dhënë ushqim mediave që të merren me pagat e secilit, dhe për të larguar vëmendjen nga inceneratorët, në veçanti nga skema e atij të Tiranës. Mos u çudisni që të dalin databazë të reja, që do të frikësojnë njerëzit, siç ndodhi edhe në kohen e patronazhistëve”, thotë ajo.

“Shpresoj që çështja e inceneratorëve të mos jetë përdorur për të hequr vëmendjen nga situata politike në vend, fletëarrestet kanë qenë në shtator, edhe për të tjerë, por ka patur një zvarritje nga ana e qeverisë, që mendonte se çështja do të shkonte duke u harruar. Por për politikanët nuk ka më çështje të parashtruara, siç parashikon vetë ligji i SPAK. Po të jetë një sistem drejtësie e vërtetë, pritshmëritë e mia shkojnë deri tek kryeministri, sekretari i përgjithshëm, te ministrat që kanë firmosur në një ditë 17 vendime, të bashkitë e Fierit dhe Tiranës”, deklaron Kryemadhi në A2 CNN.