Politika Informacionet e Metës për djegien e Kuvendit, deputetët kërkojnë dëshminë e kreut...

Informacionet e Metës për djegien e Kuvendit, deputetët kërkojnë dëshminë e kreut të SHISH

Deklaratat e presidenti Meta se në protestën e opozitës të datës 8 qershor kishte një skenar për djegie të Kuvendit janë kthyer në diskutime të forta mes dy kampeve të politikës. Nga njëra anë është mazhoranca që nuk e beson një variant të tillë dhe nga ana tjetër vetë opozita që mohon të ketë pasur qëllime të tilla.

Dhe mbi të dy palët është Presidenti Meta që këmbëngul se ka pasur një informacion të tillë, duke justifikuar me këtë, zhdekretimin e datës 30 qershor për zgjedhjet lokale në Republikën e Shqipërisë.

Madje, Meta nuk i deklaroi këto vetëm gjatë dëshmisë së tij përpara Komisionit Hetimor, por edhe në një konferencë për shtyp me gazetarët, ku foli gjerë e gjatë për informacionin sekret që dispononte atë ditë.

Por, këtë të enjte, nëntë deputetë të Kuvendit të Republikës kanë bërë një kërkesë, përmes së cilës kërkojnë mbajtjen e një seance dëgjimore me kryetarin e Shërbimit Informativ Shtetëror, lidhur pikërisht me ato që ka deklaruar kreu i shtetit.

Kreu i këtij institucioni, Helidon Bendo do të thirret në Komisionin e Sigurisë për t’u pyetur në lidhje me deklaratat e bëra nga kreu i Shtetit, Ilir Meta.

Kjo kërkesë e deputetëve vjen pas deklaratave të Presidentit , Ilir Meta, i cili të hënën e kaluar tha se kishte informacione për djegien e Parlamentin me 8 qershor dhe për këtë arsye kishte vendosur të anulonte zgjedhjet e 30 qershorit.

Kreu i Shtetit tha dje para mediave se ky informacion (djegia e Kuvendit) është tërësisht i vërtetë, ndërsa shtoi se me përmbajtjen e tij do të njihet edhe komisioni parlamentar i ngritur për të hetuar shkeljet e mundshme mbi zhdekretimin e 30 qershorit, datë kjo e cila më pas solli përpalsje mes

maxhorancës dhe opozitës. Sot, madje vetë Meta ka kërkuar që institucionet që i kanë përcjellë atij informacionin për akte të dhunshme dhe djegie të Parlamentit të depozitojnë edhe në Kuvend një kopje.