Nga Majlinda Bregu*
Sapo futem në dhomën time të hotelit në Bruksel një tufë me aplikacione shfaqen në ekranin e TV-së. Përpiqem të gjej “TV app”, që të dëgjoj ndonjë lajm, ndërkohë që vazhdoj kontrolloj pa ndërprerje si robot, email-e, mesazhe, WhatsApp, Twitter, Instagram, në të dy telefonët e mi.
Por ekrani i TV është si dhomë dixhitale! Hajde gjeje ku dalin kanalet. Dhe unë dua vetëm të dëgjoj disa lajme në sfond, nuk po kërkoj lidhje me NASA-n! Më në fund kuptoj që mund të lidh TV me telefonat kështu që gjithçka është në rregull. Hap CNN ne telefon dhe shihe ne TV.
Ja, kështu jemi bërë thuajse të gjithë. Siç thotë Yuval Harari, që fatkeqësisht për mua, ka të drejtë: “Njerëzit janë vetëm një hap larg, shndërrimit në makinë”.
E pranoj. Mbase unë paragjykoj ç’po ndodh me teknologjinë sot, sepse më tremb fakti se si po na e ndryshon jetën revolucioni teknologjik. Dakord, krahasuar me rininë e sotme, unë jam thjesht një amatore entuziaste kur vjen puna për aftësi digitale.
Ndoshta kam frikë se disa shpikje ‘më duken çoroditëse. Nëse revolucioni teknologjik dixhital është trend global, ritmi i përshtatjes dhe reagimet e politikave janë ende —për mirë apo për keq – kryesisht kombëtare ose rajonale.
Megjithatë, ende pyes veten se sa të aftë jemi ne, të këtij rajoni, të gjejmë atë ‘gjilpërën në kashtë’ në rezerva të pafundme të inovacionit dhe teknologjisë?
E kam fjalën për gjilpërën e duhur, atë që mund të na ndihmojë të dallojmë çfarë po na ndreq a prish punë në këtë riformatim global të ekonomive, ndryshe revolucioni i 4-të industrial.
Cili është inovacioni më i përshtatshëm për ne, që të mund të ndihmojë rajonin tonë të transformohet në mënyrë radikale? Që të ndryshojmë nga të ngathët- në rivalë të fortë dhe të përftojmë më shumë nga ky rend I ri teknologjisë?
Çfarë na duhet për të na nxjerrë nga gjendja pasive, opake, e të na bëjë të vrapojmë dyfish më shpejt në transformimin e tregut të punës, përshtatjen e politikave të arsimit e konkurrencës në mënyrë që shkollat dhe universitetet t’u ofrojnë brezave që vijnë aftësitë e nevojshme për të punuar në botën teknologjike?!
Më shumë se 300 vjet më parë Isaac Newton tha: “Të gjithë mund të rrinë në gjendje pushimi, ose lëvizin në vend në vijë të drejtë. Gjendja ndryshon vetëm të shtyjnë ca forca të tjera.”
Atëherë, cila është ‘forca’ që mund ta shtyjë Ballkanin Perëndimor të ‘zgjohet’ dhe të ndryshojë rregullat e lojës?
Çfarë mund të kthejë avantazhin në anën tonë, përshpejtojë reformat dhe t’i japë një shtysë të re zhvillimit të rajonit dhe në të njëjtën kohë të krijojë mundësi më të mira për qytetarët e t’i japë fund “largimit të trurit” gjithnjë e në rritje?!
Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Serbia janë ndër 10 vendet e para në botë me ‘largimin më të lartë të trurit’ në 2018-ën 5.7 milion njerëz kanë emigruar dhe janë larguar nga Ballkani Perëndimor në 5 vitet e fundit – e barabartë me 1/3 e popullsisë.
Dikur, rajoni ynë, ishte eksportues i dy kategorive kryesore: çeliku, alumini dhe produktet e tekstilit. Por jo sot. Jo më.
Sot, tregu është kthyer drejt pajisjeve elektrike, makinerive dhe mjeteve të transportit, të cilat janë kryesisht produkte të huaja të investimeve direkte që kërkojnë një shkallë më të madhe teknologjike dhe përpunimi të avancuar. Me një fjalë, inovacion – që do të thotë aplikim i zgjidhjeve më të mira që plotësojnë kërkesa të reja, nevoja të paartikuluara më parë, ose nevoja ekzistuese të tregut.
Pra, kaq kërkoka inovacioni? Më shumë investime në buxhetin e kërkimit dhe zhvillimit?!
Ballkani Perëndimor investon më pak se 1% të PBB-së në inovacion dhe kërkim. Vetëm 30-40% e bizneseve përtërihen dhe shumica e tyre vetë-financohen pa asnjë mbështetje publike.
Në Ballkanin Perëndimor duhet ta gjejmë ende formulën se çfarë mund të inovojmë, si ta përfshijmë inovacionin e teknologjinë në treg dhe si ta përdorim për të ndryshuar nivelin e investimeve në ekonomi.
Inovacioni përhapet më shpejt në një treg të unifikuar dhe e bën atë më konkurrues në arenën botërore. Me hapa të vogla gjatë 2019-ës, vetëm 9% e kompanive në Ballkanin Perëndimor kanë bashkëpunuar me universitete për kërkim dhe zhvillim ose kanë bashkëpunuar për ide të reja tekno që mund të sjellin në treg produkte ose shërbime të reja. (Barometri Ballkanik në proces 2020 – të dhëna të botuara vetëm për këtë artikull)
Në 3 vitet e fundit, 26% e bizneseve deklarojnë se kanë sjellë produkte të reja në tregun rajonal, 4% ishin ide të reja edhe për tregun europian dhe vetëm 3% ishin risi në rang global. Shumica dërrmuese ose 79% pohojnë se ia kanë dalë me forcat e tyre, dhe vetëm 4% thonë se kanë pasur mbështetje financiare publike /ose të donatorëve.
Pak rëndësi kane frikërat e mia ë të ngjashmeve të mi. Teknologjia dhe inovacioni udhëheq rritjen ekonomike duke ndihmuar bizneset të prodhojnë më shumë me më pak, ose duke gjeneruar prodhim më të madh me të njëjtin input. Krijon biznese të reja dhe është burimi themelor i rritjes në biznes dhe industri. Shfrytëzimi i suksesshëm i ideve të reja është thelbësor që një biznes të jetë në gjendje të përmirësojë proceset e veta, të sjellë produkte dhe shërbime të reja dhe të përmirësuara në treg, të rritë efikasitetin dhe, më e rëndësishmja, të përmirësojë përfitimin. Inovacioni rrit aftësinë e shoqërisë për të vepruar, për të zgjidhur problemet kolektive në mënyrë të qëndrueshme dhe efikase.
Energjia elektrike e ndryshoi shoqërinë e shekullit të 19-të, ndryshoi edhe mënyrën e të bërit luftë. Teknologjia po riformaton ekonominë globale dita ditës. Inovacioni për produktet, inovacioni i procesit, inovacioni i marketingut dhe inovacioni menaxherial janë ato që përbëjnë bazën e konkurrencës. E reja dhe inovacioni lindin sic do ide prej dëshirës por dhe frikës sa do te mbijetojë, por nëse nuk rrezikojmë sot, a do të mund ta përftojmë nesër, nga gjithë këto ndryshime që po sjell teknologjia?!
Është koha për mendje të bukura!
Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) dhe Forumi Ekonomik Botëror (WEF) janë bashkuar për t’i dhënë udhë Përshpejtimit të konkurrencës dhe inovacionit në Ballkanin Perëndimor – i pari i këtij lloji në rajon dhe botë, që do të prezantohet në 21 shkurt, në Tiranë dhe duke shpresuar të jemi gati në të gjithë rajonin në fund të vitit.
A ka të panjohura?
Mbase, disa si puna ime mund t’i druhen kësaj kohe kur nuk flitet më për pengesa filozofike, madje dhe idetë janë gati monolitike, por jetojmë mes algoritmeve që mund të na drejtojnë mendimet e të na lexojnë emocionet. Megjithatë pa konflikt, rrahje mendimesh, frikëra e debat, s’ lindin ide te reja.
Gjithsesi më mirë me kohën sesa harruar edhe prej saj!
*Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal